Nga Elton Karaj


Portieri verdheblu, Shkëlzen Ruçi, mendon se skuadra nuk duhet të bjerë në pesimizëm, pasi gara është ende e hapur


Situata tek Elbasani nuk është optimiste dhe duket se humbja në shtëpi me Luftëtarin ka lënë pasoja të forta. Futbollistët po e përjetojnë shumë keq atë ndeshje të humbur, që ndoshta i ka nxjerrë përfundimisht nga objektivat, edhe pse jo matematikisht, pasi janë edhe shumë javë të tjera. Përpara është transferta e Velipojës, ku pritet reagimi i Elbasanit, që në fazën e dytë ka treguar se di të fitojë edhe jashtë fushe. Kampionati tashmë ka marrë një tjetër kuptim për verdheblutë, që gjithsesi duhet të arrijnë vendin e 5-të.


Portieri Ruçi Sipas portierit Shkëlzen Ruçi, Elbasani ende nuk është dorëzuar. Pasi shpreh keqardhjen për humbjen dramatike në Ruzhdi Bizhuta me Luftëtarin, ai thekson se skuadra do të mundohet të rikuperojnë sa të mundet në ndeshjet e mbetura. Elbasani ka ende shpresa për në superligë. Tashmë e shohim edhe më larg zonën e play-off-it, por kam besim se do ta arrijmë atë. Jam i bindur se skuadra do të reagojë pozitivisht pas humbjes në shtëpi me Luftëtarin.


Të them të vërtetën, pas atij zhgënjimi jemi larguar nga objektivi, por kampionati është ende i gjatë dhe do të luftojmë deri në fund. Kam besim se do të kthehemi te fitorja që në ndeshjen e radhës me Adën. Ne futbollistët nuk duhet të biem në pesimizëm, por të gjejmë forca për tu rifutur në valle. Elbasani ka aq përvojë sa për ti kaluar situata të tilla. Kampionati nuk ka përfunduar, – ka thënë mes të tjerash portieri verdheblu, Ruçi.