20/04/2012  PS e PD debate për votimin e Çefës në KLD


Seanca e djeshme plenare nisi me debate aty ku u mbyll një javë më parë: në votimin për kandidatët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se në seancën e kaluar parlamentarizmi mori një goditje të rëndë, pasi votimi i fshehtë iu mohua çdo deputeti. “Ky Kuvend ka të paktën tre vjet që vlerësohet negativisht nga raportprogresi i BE-së. Thelbësore ka qenë kritika për funksionimin e tij demokratik. Po aq e rëndësishme ka qenë kritika për mungesën e pavarësisë së tij dhe varësinë tërësore nga axhenda e qeverisë. Të enjten që shkoi këtu në Kuvend ju dhatë një provë tjetër të rrënimit të parimeve demokratike në funksionimin e tij”, – tha Ruçi. Më tej ai shtoi se pushteti i Sali Berishës ka vdekur numerikisht. “Pushteti i Sali Berishës ka vdekur demokratikisht tani, kur parimet demokratike nuk ekzistojnë. Ka vdekur politikisht tani, kur arsyeja e tij personale kushtëzohet vetëm nga nevoja personale e pushtetit. Ka vdekur numerikisht tani, kur votat që ka nuk ia garantojnë fuqinë e pushtetit e kur për t’i pasur dhunon secilin prej jush. Por, për fat të keq, fati i tij, fati i Sali Berishës, është i lidhur me fatin e institucioneve, të cilat po zhbëhen një nga një, po personalizohen, politizohen, aq sa sot rrezikojmë një kthim të fortë pas, te shteti i partisë, shteti njëpartiak. Institucionet janë në rrezik, ato duhen shpëtuar”, – tha Ruçi. Por i menjëhershëm ishte reagimi i mazhorancës, ku kreu i grupit të saj, Astrit Patozi, i cili e ftoi Ruçin të testojë mazhorancën për votat që ajo ka në Kuvend. “Për të rrëzuar qeverinë duhen këllqe, dhe opozita nuk i ka. Të provojë mocionin e mosbesimit”, - tha Patozi. Duke propozuar votëbesim Patozi theksoi se mazhoranca respektoi në mënyrë rigoroze Rregulloren e Kuvendit, edhe traditën e tij në këta 22 vjet demokraci. “Ishte shumë e shëmtuar shfaqja e një pjese të grupit parlamentar, por edhe e kryetarit të grupit, i cili u përpoq jo vetëm të pengojë me forcë Kryeministrin për të votuar normalisht, por rrëmbeu fletët e votimit, në mënyrë që procedura të ndërpritej”, – u shpreh Patozi. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli tha se nuk mund të dyshohet mbi një votim të bazuar në Kushtetutë. “Për sa kohë që zoti Ruçi kërkon të spekulojë dhe të vërë në dyshim votat e deputetëve të nderuar këtu në parlament, bëj një propozim: zoti Ruçi, mos qani siç e keni zakon, ose më mirë mos qani siç qan kryetari i juaj duke thënë se e rreh Jozefina, apo ju rrahu Jozefina. Bëhuni burra! Bëni mocion mosbesimi, bëni mocion mosbesimi dhe sillni dhe zotin Rama si kandidat për kryeministër! Dhe do ta shihni jo një herë, jo dy herë, por shumë herë kjo mazhorancë, këta deputetë të ardhur në këtë sallë me votën e lirë të shqiptarëve, po të doni me kuti, me fletë votimi, po të doni me finger print, po të doni me elektronikë, sa herë të provoni, do ta shihni veten të humbur, të dështuar, të turpëruar në zgjedhjen tuaj”, – tha Topalli. Duke folur për zgjedhjen e Presidentit, Topalli i tha Rucit se ai do të zgjidhet me mënyrën e votimit që opozita kërkon, ndërsa shtoi se ka frikë "se të majtët edhe në këtë rast do qajnë përsëri, nga frika se mos i rreh Jozefina". Duke akuzuar kreun e PS-së Edi Rama për antiparlamentarizëm ajo tha se “Ky parlament gjatë këtyre 4 viteve ka pasur momente të cilat nuk i kishte parë gjatë historisë 20 –vjeçare. E dini pse? Sepse kryetari juaj nuk e pranon Parlamentin. Sepse kryetari juaj lufton parlamentarizmin. Kryetari juaj nuk pranon as ligj, as rregullore, as Kushtetutë. Por ky Parlament në momentin që, Kushtetuta përcakton kohën e zgjedhje të lira, si të doni ju, me kuti , me fletë, me finger print, me elektronikë po ta kërkoni, sipas rregullores , do të zgjedhim Presidentin duke respektuar Kushtetutën. Ju përsëri do të qani dhe ai përsëri do të thotë” na rrahu Jozefina, por turp t’ju vijë” – përfundoi Topalli.


Jozefina Topalli


“Kur humbni, nuk pranoni votën. Kur shihni se nuk keni vota, vidhni fletët e votimit edhe këtu në sallë, siç i morët herën tjetër. E dini ju pse nuk e zgjidhni presidentin. Sepse do të zgjedhë mazhoranca presidentin dhe sot thoni se në këtë sallë nuk do të na lejoni që të zgjedhim presidentin. Do të humbni përsëri si më 2009-n, si më 2011-n, si në rang Republike”


Gramoz Ruçi


“Votimi i fshehtë iu mohua çdo deputeti, të majtëve po e po, por edhe çdo deputeti të djathtë apo të paangazhuar në grupe politike në këtë Kuvend. Rregullorja, ashtu si Kushtetuta e Republikës, kërkon qartësisht votim me fletë votimi dhe me kuti votimi. Ju i vutë dhe i hoqët ato, duke cenuar rëndë në këtë mënyrë parimin kushtetues së votës së fshehtë”


Astrit Patozi


“Ne çaktivizuam përpjekjen tuaj të dhunshme për të bllokuar votimin për anëtarin e KLD-së. Fobia që ju keni ndaj firmave, ndaj votës së fshehtë dhe ndaj komisionerëve tuaj, gjë që e keni dëshmuar në të ashtuquajturën ‘kauzë të kutive’, nuk është një gjë që ju nderon. Qeveria nuk rrëzohet me shfaqje të shëmtuara dhe përpjekje për bllokim.” - tha Patozi.