Vetëm të mërkurën do të dimë se cilët do të jenë drejtuesit e grupit parlamentar socialist. Edhe pse konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare është lajmëruar për sot në orën 13:00, për të shqyrtuar propozimin e PS-së, socialistët nuk kanë bërë asnjë spostim të mbledhjes së grupit të deputetëve për ditën e sotme. Mësohet se socialistët do të përfaqësohen në këtë mbledhje me kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i cili është kandidatura e mundshme për kreun e grupit parlamentar socialist. Në mbledhjen e së mërkurës, deputetë socialistë do të duhet të zgjedhin, përveç kryetarit, edhe dy nënkryetarët dhe sekretarin e kryesisë së grupit parlamentar. Mësohet se Ruçi rikthehet edhe në krye të grupit socialist, pas pesë vjetësh. Pas rënies së platformës “Një anëtar një votë” në kongresin e PS-së në tetor 2005, e cila ishte platforma e kandidimit të Ramës për kreun e kësaj partie, Ruçi dha dorëheqjen nga detyra e sekretarit të përgjithshëm, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar dhe kryetar i KPD-së socialiste. Kjo dorëheqje i hapi rrugë zgjedhjes së Edi Ramës në krye të PS. Por pas një periudhe dy vjeçare, Ruçi erdhi në krye të Asamblesë Kombëtare, duke u pozicionuar sërish numri dy i PS-së, ndërsa me marrjen e kreut të grupit, ai rimerr të gjitha detyrat që kishte pesë vjet më parë. Si kandidatura për kryesinë e grupit parlamentar, të pëlqyera dje nga mbledhja e kryesisë së vogël, janë për postin e nënkryetarit dhe sekretarit të grupit parlamentar Pandeli Majko, Erion Braçe, Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri, ndërsa pritet që sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade të ulet në karrigen e nënkryetares socialiste të Parlamentit shqiptar.
Rregullorja
Dje, kryetari socialist Edi Rama mblodhi në një takim disa orësh në zyrën e tij disa nga anëtarët e kryesisë socialiste, “besnikët e tij”, me të cilët ka diskutuar rreth kandidaturave për kryesinë e grupit parlamentar, përfaqësuesit e PS në komisionet parlamentare dhe delegacionin parlamentar në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj, Arta Dade, Namik Dokle, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko diskutuan dje edhe rreth rregullores së re të grupit parlamentar socialist, e cila ka pësuar disa ndryshime, kryesisht për sa i takon zëdhënies së grupit parlamentar. Edhe pse ka pasur dje një hermetizim total të asaj që është diskutuar dje në këtë takim, burime të sigurta thanë për “Panorama” se çështjet disiplinore në rregulloren aktuale janë konsideruar të rrepta dhe për to nuk është kërkuar ndonjë ndryshim. Më shumë ndryshimet e rregullores kanë prekur çështjen e zëdhënies së grupit. Do të përcaktohen deputetët që do të flasin në deklarata publike apo dhe emisione televizive, të cilët do të ndahen sipas fushës së profesionit apo të njohurive që kanë. Në këtë mënyrë grupi i deputetëve të PS përcakton dhe ekspertizën e tij, për fushat si jurisprudencë, ekonomi, marrëdhënie ndërkombëtare e integrim, siguri kombëtare, administrim publik, shëndetësi e arsim. çdo deklaratë në emër të grupit por dhe si vizion i PS do të bëhet në mënyrë të koordinuar më parë dhe do të jetë bazuar në qëndrimin politik të grupit parlamentar socialist. a.l