03/03/2010 Deputetët e PS zgjedhin drejtuesit


Ligjvënësit socialistë zgjedhin drejtuesin e tyre, duke i besuar sërish drejtimin një prej eksponentëve kryesorë të PS-së, Gramoz Ruçit. Kështu, gjatë ditës së djeshme, lidershipi socialist mblodhi fillimisht kryesinë e PS-së, forum i cili vendosi t’i kalojë për miratim propozimin e tij për kreun e grupit parlamentar. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje, ligjvënësit socialistë morën në shqyrtim kandidaturën e propozuar nga kryesia. Në këtë mënyrë, deputetët e PS-së në takimin e radhës vendosën që të votonin në mënyrë të fshehtë mbi kandidaturën e Ruçit si pretendent për postin e kreut të grupit kuvendor. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet një tjetër takim, ku grupi do të zgjedhë dhe përfaqësuesin e PS-së për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se janë dy kandidatura për një post të tillë. Konkretisht janë emrat e deputetëve Namik Dokle e Arta Dade, ata të cilët mendohet të kalojnë për votim në mbledhjen e radhës. Gjithashtu pritet që të jetë kjo mbledhje ajo e cila të vendosë nëse grupi kuvendor i PS-së do të jetë apo jo në seancën parlamentare të ditës së enjte. Ndërsa sa i takon votimit të djeshëm për zgjedhjen e kryetarit të deputetëve socialistë, kryetari i komisionit të votimit në grupin e PS-së, deputeti Eltar Deda bëri me dije lidhur me një proces të tillë: “Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi përmes votimit të fshehtë edhe kryetarin e grupit parlamentar. Në mënyrë unanime, me 55 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi zotin Gramoz Ruçi kryetar”, u shpreh Deda pas procesit të numërimit dhe administrimit të dokumentacionit zgjedhor, mbi një çështje të tillë. Njëkohësisht, sipas tij, në mbledhjen e grupit parlamentar u diskutua në lidhje me qëndrimin e Partisë Socialiste mbi projektligjin e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin numër 8891, të datës 05/02/2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor. Në këtë takim u vu re mungesa e deputetëve socialistë të njohur si kundërshtarë të kryetarit të PS-së. Kështu, përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe brenda kësaj partie, me përjashtim të deputetit Arben Malaj, nuk ishin të pranishëm në asnjë nga mbledhjet e zhvilluara dje në selinë rozë, pra në mbledhjen e kryesisë dhe të grupit parlamentar.


Kuvendi


Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të mblidhet sërish për të zgjedhur dhe përfaqësuesit e tjerë, që do të jenë pjesë e kryesisë së këtij grupi. Kështu, mësohet se gjatë ditës së sotme do të zgjidhet përfaqësuesi i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Burime pranë selisë rozë konfirmojnë se dy janë kandidaturat të cilat do t’i paraqitën grupit për miratim, ajo e deputetit Namik Dokle dhe e deputetes Arta Dade. Ndërkohë që votimi mbi kandidaturat që do t’u kalojnë ligjvënësve socialistë për miratim do të zhvillohet sërish përmes votës së fshehtë.


Takimi


Ligjvënësit socialistë do të zgjedhin dhe dy nënkryetarët e grupit kuvendor të Partisë Socialiste, si dhe sekretarin e tij. Ndërkohë që edhe pse jo në mënyrë zyrtare, kanë nisur të përfliten emrat që mund të jenë kandidaturat e mundshme për poste të tilla. Konkretisht, për postin e dy nënkryetarëve të grupit janë deputetët Pandeli Majko e Erion Braçe. Megjithatë ende nuk janë këto kandidaturat zyrtare, të cilat do t’i kalojnë grupit për miratim. Ndërsa për postin e sekretarit të grupit parlamentar socialist është emri i deputetit Taulant Balla, që mendohet të jetë kandidatura e cila të marrë pëlqimin e parlamentarëve të PS-së.