TIRANE-Gjithçka që ju thamë një javë më parë për Rudina Magjistarin dhe Lotarinë Kombëtare rezulton të jetë e vërtetë. Rudina Magjistari ka ndërprerë pushimet e saj enkas për Lotarinë Kombëtare. Pak ditë më parë ajo është fotografuar në një nga lokalet e kryeqytetit në shoqërinë e menaxheres së Marrëdhënieve me Publikun të Lotarisë Kombëtare, Teuta Rexhepin.

Burimet tona na thanë se është arritur një marrëveshje dhe Rudina Magjistari do të jetë prezantuesja kryesore e shortit të Loto “6 nga 39”, çdo të diel në 20.05, në TV Klan. Vetë Rudina ka pranuar se po e fillon këtë “aventurë” të re, por ka preferuar që detajet e tjera t’i mbajë surprizë. “Bluetooth” ka mësuar se Rudina Magjistari do të shfaqet për herë të parë në ekran si prezantuesja e Lotos javën e parë të shtatorit.

Gjatë këtyre muajve aktori Florian Agalliu ka qenë prezantuesi kryesor i Loto “6 nga 39”, aq sa ka fituar edhe epitetin “Flori i Lotarisë”. Burimet tona shpjeguan se Flori do të vazhdojë të jetë pjesë e Lotarisë Kombëtare dhe se sezonin e ri do të paraqitet ndryshe nga sa jemi mësuar deri më tani. Përveç prezencës në studio gjatë hedhjes së shortit, Flori do të shfaqet më afër publikut. Javën e ardhshme shpresojmë të mësojmë më shumë rreth “Florit të Lotarisë” dhe rolit që do të ketë gjatë sezonit të ri.

(d.b/Bluetooth/BalkanWeb)