Me rastin e pesëvjetorit të shkuarjes së poetit, kritikut e studiuesit të shquar, presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u mbajt manifestim kushtuar “Veprës letrare e kulturore” të tij


Nga Albana S. Muja më 21 janar 2011 në ora 16:55

Manifestimi kushtuar pesëvjetorit të shkuarjes së Dr. Ibrahim Rugovës, u hap me tingujt e poezisë së Ali Podrimjes “Lamtumirë President i Dardanisë”, interpretuar nga aktori Blerim Gjoci.



Hapësirën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e pushtuan edhe tingujt e interpretimit të pikës muzikore “Në mes dashurive” të autorit Qeskë Zadeja, nga Besa Llukiqi (soprano) dhe Lule Elezi (piano).



Dr. Rugova, para se të bëhej prijës politik i Kosovës, ai ishte njeri i letrave, njeri i dijes dhe i kulturës, edhe në këtë dimension ai mbetet i papërsëritshëm.



Fillimisht, lirik e përkthyes poezie, u fut me pasion e siguri në studimin letrar, duke u bërë i njohur me studimin për veprën e Pjetër Bogdanit ndonëse vazhdonte të bënte jetë intensive me modernitetin e art për kritikën shqipe.



Studiuesi e publicisti i njohur nga Tirana, Dr. Mark Marku, foli për figurën dhe mënyrën se si komunikonte Dr. Rugovës, duke e cilësuar ata si një nga promovuesit e komunikimit modern politik në jetën shqiptare. “Jetëgjatësia e imazhit pozitiv të Dr. Rugovës nuk mund të shpjegohet dhe kuptohet pa përmasën komunikuese, ai shfaqet si një politikan që e kupton se para së gjithash suksesi i çështjes që ai e përfaqësonte i Pavarësisë së Kosovës do të varej shumë nga imazhi që populli i Kosovës dhe lëvizja e tij do të krijonte së brendshmi dhe së jashtmi, ai e dinte se kundërshtarët e tij do të përqendronin tërë arsenalin e një shteti të fuqishëm propagandistik si Ish Jugosllavia, për ta paraqitur këtë imazh të deformuar para opinionit publik, Jugosllav dhe ndërkombëtar”.



Ndërsa, kritiku letrar Dr. Nysret Krasniqi, Rugovën e cilëson autor të Kosovës moderne.



“Rugova ishte autor i madh, autor i qarkut kulturor të Prishtinës, autor i politikës perëndimore shqiptare, autor i pavarësisë së Kosovës”



Krasniqi tha se realizimi i pavarësisë së Kosovës nga Rugova shihej si vepër, për realizimin e saj ai punoi me ngulm, duke i shmangur me kulturë të gjitha ndërhyrjet gjakatare e gjenocidale që donin shkatërrimin e saj ende pa u përfunduar.



“Ai e përfundoi veprën e tij me 21 janar 2006 dy vjet para promovimit ndërkombëtar të saj, duke e fituar me mund autorësinë e veprës së Pavarësisë së Kosovës të cilën e gëzojmë sot. Miku i tij studiuesi i shenjave, Roland Barti thoshte: Që të jetojë vepra, duhet të vdesë autori i saj”.