Fondacioni “Ibrahim Rugova” i LDK-së, ka nxjerrë librin e parë, të titulluar “Rugova i letërsisë”, që i takon Kolanës së Kulturës.

“Rugova i letërsisë” është një përzgjedhje e studimeve për veprën letrare të Ibrahim Rugovës dhe është përgatitur nga: Kujtim M. Shala, Dhurata Shehri, Munish Hyseni dhe Albanë Mehmetaj.

Në këtë përzgjedhje janë përfshirë tekste nga këta autorë: At Zef Pllumi, Gjergj Zheji, Ali Aliu, Mensur Raifi, Teki Dërvishi, Anton Nikë Berisha, Rexhep Ismajli, Muhamedin Kullashi, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Shaban Sinani, Xhemail Mustafa, Ramadan Musliu, Munish Hyseni, Mark Marku, Agron Tufa, Vehbi Miftari, Xhavit Beqiri, Kujtim M. Shala, Nysret Krasniqi dhe Albanë Mehmetaj.

Ky libër synon të japë portretin e dijetarit Ibrahim Rugova, në trajtën Rugova i lexuar. Është ky portreti i dijetarit të madh, i shkrimtarit Ibrahim Rugova, në prerjen e shpejtë me diskursin dhe me sjelljen e tij politea-ne.

Vetë titulli i këtij libri shënjon shkrimtarin Ibrahim Rugova, mendimtarin, përballë Rugovës politikan e prijës, gjë që thekson edhe një herë mendimin se edhe rrënjët e pikëpamjeve e të veprimit politik të Rugovës janë kulturore, prandaj së pari duhet të gjurmohen e të lexohen në veprën letrare të tij.

Tekstet e zgjedhura, siç shihet, janë të autorëve të brezave të ndryshëm, nga bashkëkohësit, te pasuesit e studiuesit më të rinj të Rugovës, të shkruara për gjallje e pas shkuarjes së tij dhe, së bashku, japin shekullin e leximit të veprës së Rugovës.

“Rugova i letërsisë” është strukturuar në pesë tërësi tipologjike, nga të cilat, e fundit, e titulluar “Bibliografia”, dëshmon se tekstet e përfshira në këtë libër janë disa nga leximet e Rugovës dhe fton, si edhe ky libër në tërësi, që leximi të shtrihet më tej në rrjetin që ka krijuar vepra e tij, pa harruar se faqet për të janë një hije veprës dhe se leximi autentik duhet të nis përherë nga vetë Rugova.

Tërësia e parë e librit, e titulluar “Memento”, jep shenjat e mëdha të portretit të Ibrahim Rugovës, e dyta, “Dijetari Rugova”, lidhet në studime përgjithësuese për veprën e Rugovës, e treta, “Vepra”, hap veprat e Rugovës me radhë, ndërsa e katërta, “Testamenti”, e provon dijen rugoviane si trashëgimi, mallin dhe kujtimin për autorin e madh.

Libri botohet gjashtë vjet pas shkuarjes së dijetarit Ibrahim Rugova dhe kap cepat e shekullit të leximit të këtij autori në kulturën shqiptare.

I tillë, “Rugova i letërsisë”, përpos një homazh për Rugovën, është një faqe e veprës së hapur me lexime, e veprës së madhe që ka projektuar vetë Rugova në çdo faqe që ka shkruar.

Duke patur parasysh se brenda kopertinave të këtij libri nuk ndodhen të gjitha leximet që i janë bërë veprës së Rugovës deri më tash, figura Rugova i lexuar, vetëm sa shënjon kalimin te figura tjetër: Rugova i hapur. Po, vepra e madhe e Ibrahim Rugovës pret e hapur leximet e tjera dhe faqet që do t’i shtohen korpusit rugovian.