(E plotësuar)Presidenti Rugova ishte prijës i një gjenerate që solli rilindjen e mendimit kritikë dhe kurajon e veprimit politikë në rrethanat më të rënda të historisë së popullit të Kosovës, ishte lider i jetës shumë partiake në Kosovë, ishte prijësi shpirtërorë dhe shtetërorë i shqiptarëve, kishte filozofi unikate të refuzimit të dhunës dhe se ai nuk duhet kujtuar vetëm një herë në vit. Kështu u tha në Akademinë përkujtimore të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në gjashtëvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish–President i Kosovës dhe themelues i LDK-së.

LDK-ja gjithashtu këtë përvjetorë e ka shënuar edhe me botimin e librit të titulluar “Rugova i letërsisë”.

Udhëheqësi i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Rugova me urtësinë e tij dhe filozofinë unikate të refuzimit të dhunës, ngadalë por sigurt, ka ndërtuar themelet e shtetit të Kosovës, duke u zotuar se do të ndjekin rrugën dhe vizionet e tij.

“Presidenti historik i Kosovës, shkrimtari, kritiku, studiuesi, burrështetasi i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të mbetët i pa përsëritshëm në arenën politike të të gjithë Evropës Juglindore, për filozofinë dhe frymën e veprimit politikë, e cila u bë me shpejtësi, dritë dhe frymë politike e një lëvizje të madhe për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e gjithë shqiptarëve në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Në këtë akademi përkujtimore ishte e pranishme edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila e quajti Ibrahim Rugovën, arkitekt të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe lider të jetës shumë partiake.

“Presidenti Rugova do të mbahet mend si lideri i jetës shumë partiake në Kosovë, si njëri prej themeluesve të LDK-së, pra lëvizjes gjithëpërfshirëse, gjithëpopullore dhe gjithëqytetare, me orientimin pro-perëndimor, e cila ishte bartëse dhe pjesëmarrëse e të gjithë proceseve politike dhe shtetërore në periudhën më vendimtare për vendin”, ka deklaruar ajo.

Në akademinë përkujtimore të presidentit të parë të Kosovës, Sabri Hamiti nga LDK-ja u pa më i emocionuar se kurrë.

Ai nuk lexoi letrën që kishte shkruar, duke thënë se Rugovën nuk duhet kujtuar vetëm një herë në vit, por sipas Hamitit, mësimet e tij duhet bërë vepra dhe udhëzime se si të punohet për vendin.

Madje e krahasoi edhe me ish–Presidentin e Çekisë, Vaclav Havel që vdiq muaj më parë.

“Havel e kishte shumë më lehtë sepse kishte shtet dhe donte liri, kurse Rugova në të njëjtën kohë donte edhe shtet edhe liri e që janë dy probleme të mëdha”, ka pohuar Hamiti.

Në këtë akademi u bë e ditur se është formuar edhe Fondacioni “Ibrahim Rugova”, të cilin e ka krijuar LDK-ja, e që do të merren me hulumtime politike, humanitare dhe sociale.

Jahjaga: Rugova përcaktoi rrugën për formimin e shtetit të Kosovës

Përkujtimi veprës kolosale të Presidentit Ibrahim Rugova na bënë nder të gjithëve, sepse e kujtojmë liderin historik të Kosovës, i cili në kohët më të vështira mori vendime të rëndësishme që përcaktuan kahjen e historisë dhe përcaktuan edhe fatin tonë si popull, në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të Kosovës shtet të lirë dhe të pavarur.

Kështu u vlerësua në Akademinë përkujtimore të organizuar nën patronatin e Presidentes Atifete Jahjaga, me rastin e gjashtëvjetorit të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova.

Të pranishëm në këta akademi ishin drejtues të lartë të institucioneve të Kosovës, familjarë të Presidentit Rugova, drejtues të partive politike, si dhe ambasadorët e SHBA-ve, Francës, Italisë, etj.

Duke vlerësuar punën dhe kontributin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishe e vemja që iu drejtua të pranishmëve në këtë akademi, tha se përvjetori i gjashtë i largimit nga jeta i presidentit të parë të Republikës së Kosovës, të presidentit historik, doktor Ibrahim Rugova, na bënë të ndjejmë dhimbje, por dhe krenari, për rrugën e mundimshme drejt formimit të shtetit demokratikë të Kosovës.

“Përkujtimi veprës kolosale të presidentit Ibrahim Rugova, na bënë nder të gjithëve, sepse e kujtojmë liderin historik të Kosovës, i cili në kohët më të vështira mori vendime të rëndësishme, që përcaktuan kahjen e historisë, dhe përcaktuan edhe fatin tonë si popull në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të Kosovës, shtet të lirë dhe të pavarur, në miqësi të përjetshme me SHBA-të”, tha ajo.

Ajo shtoi, se Presidenti Rugova ishte prisi i një gjenerate që solli rilindjen e mendimit kritik dhe guximin e veprimit politik të rrethanave më të rënda të historisë së popullit të Kosovës. Si gërshetim i urtësisë dhe mençurisë, vlerësoi Jahjaga, Rugova e formoi platformën politike, duke e bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për të drejtën e një jete të barabartë me të tjerët dhe përcaktimin për vetëvendosje.

Për më tepër, Jahjaga, vlerësoi se Presidentit Rugova dhe gjeneratës së tij, iu takon edhe merita për ndërtimin e partive të orientimit pro perëndimor e demokratik, duke kultivuar karakterin liridashës atdhetar dhe civilizues të kombit, dhe duke hequr përgjithmonë nga sfondi idetë komuniste.

“Kjo platformë e qëndresës dhe rezistencës aktive paqësore, u ndërtua me mund dhe sakrificë në një botë të angazhimeve, hegjemonizmit dhe të dhunës ndaj një populli dhe një vendi të vogël. Doktor Rugova, së bashku me intelektualet të tjerë, krijoi dhe udhëhoqi LDK-në, partinë e parë demokratike në historinë e popullit të Kosovës, e cila së bashku me partitë tjera, që u formuan ndërkohë iu kundërvunë me vendosmëri sistemit okupues dhe arritën që kauzës sonë kombëtare t’i japin orientim perëndimor”, ka thënë Jahjaga.

Në fund, për të nderuar veprën e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Filharmonia e Kosovës ekzekutoi disa pika muzikore.

Ndryshe, gjatë paraditës së sotme drejtues të institucioneve të Kosovës dhe partive politike, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek varri i Presidentit Ibrahim Rugova në Velani.

Ibrahim Rugova vuri themelët e shtetit te Kosovës

Në gjashtëvjetorin e vdekjes së ish - Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule tek varri i tij krerët më të lartë të shtetit dhe të partive. Ata gjithashtu kanë vizituar edhe familjen Rugova.

Në këtë gjashtëvjetorë është thënë se trashëgimia që ai ka lënë po shërben edhe në kohën e sotme, që Kosova të ecë drejtë rrugës së saj evropiane. Gjithashtu është thënë se ai ka qenë është dhe do të mbetët gjithmonë në zemrat e të gjithëve për punën dhe kontributin që ka dhënë, që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran.

Përderisa presidentja e vendit, Atifete Jahjaga nuk ka dashur të deklarohet tek varri i tij, por vetëm tek familja Rugova, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Rugova duhet të ketë respektin e të gjithëve për kontributin që ka dhënë në shtetndërtim.

“Sot jemi këtu për të bërë nderimet shtetërore për Presidentin Rugova, për të bërë vlerësimin dhe nderimin më të lartë shtetërorë për jetën, veprën, personalitetin dhe për kontributin e Presidentit Rugova për Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe për perspektivën e Kosovës evropiane. Jeta dhe vepra e Presidentit Rugova do të vlerësohet dhe respektohet me dinjitet të lartë prej institucioneve, shtetit të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë ai.

Homazhi tek varri i Rugovës ka bërë edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ka konsideruar veten të privilegjuar që ka mundur të jetë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

“Na mungon tash e gjashtë vjet të rënda që ka kaluar Kosova, një njeri që ka qenë figurë unikale në historinë më të re të Kosovës dhe popullit shqiptar, një njeri që ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Prandaj kam pas privilegjin të jem një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe në të njëjtën kohë të mësoj shumë nga njeriu i madh i kombit tonë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë që e themeloi Rugova, ka deklaruar se përveç themelimit të LDK-së, Rugova ka vënë edhe themelet e shtetit.

“Ne të gjithë kemi respekt shumë të lartë për veprën e tij, për urtësinë e tij, për mençurinë e tij dhe për mënyrën se si ai e udhëhoqi Kosovën në ditët më të vështira dhe si e formoi LDK-në, kur u dashke që të dal dikush dhe t’i përgjigjejë zërit të intelektualëve, në mënyrë që të shuhej një sistem diktatorial që ishte atëherë dhe të fillojë pluralizmi politik dhe ndërtimi i demokracisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Nderime tek varri i Rugovës kanë bërë edhe përfaqësuesit tjerë të partive politike, të cilët Rugovën e quajtën projektues të shtetit të pavarur të Kosovës.

AAK-ja e ka quajtur shembull se si punohet për vendin e LDD-ja janë shprehur se me gjithë mungesën fizike të Rugovës, madhështia e tij vetëm po rritet.

“Sot jemi në nderim të jetës dhe veprës madhështore të presidentit historikë të Kosovës, doktor Ibrahim Rugova, njeriut që e projektoi shtetin e pavarur të Kosovës, një shtet demokratik, shtet properëndimor, me vlerat më të mira të traditës tonë dhe vlerave perëndimore. Sot kur e kujtojmë, edhe sot ndjejmë zbrazëti në jetën tonë politike, ndjejmë një mungesë të madhe të prezencës së tij, të punës së tij dhe të gjithë asaj që bëri për Kosovën, është shembulli më i mirë se si luftohet për vendin dhe si punohet për vendin”, ka thënë Melihate Tërmkolli nga AAK, e cila ishte bashkëpunëtore e Presidentit Rugova.

Kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli duke kujtuar Presidentin Ibrahim Rugova, ka thënë se ai ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithëve.

Ndërsa kreu i LDD-së, Nexhat Daci ka pohuar se madhështia e figurave shihet se me distancën ato nuk zvogëlohen, por përkundrazi rriten, duke konsideruar se Kosova ka nevojë për mençuri, për fisnikëri dhe për punë të përgjithshme për shtetin dhe popullin e saj.