Pejë, 5 gusht -  Këtë verë, 40 fëmijë të Kosovës, gjatë një javë qëndrimi në fshatin Reka e Allagës, thellë në bukuritë natyrore të Grykës së Rugovës, do të marrin në duart e tyre çështjet e ruajtjes së ambientit dhe do të zbulojnë natyrën e vendit të tyre, si dhe do të vendosin vet se çfarë mendojnë ata se është e rëndësishme për natyrën.


Në orët për mbrojtjen e ambientit ata do të mësojnë më tepër për natyrën që i rrethon dhe si të kënaqen me të e një herë edhe ta mbrojnë atë. Nëpërmjet një projekti për fotografi ata do të krijojnë dhe do të ndajnë me të tjerët fotografitë e tyre të Kosovës. Ata do të kenë rast edhe të mendojnë për atë se si mund të përfitohet nga turizmi por pa dëmtuar skajet rurale të Kosovës.


Përveç tërë këtyre, ata do të përmirësojnë edhe anglishten e tyre që do t’u ndihmojë që të bëhen pjesë e komunikimeve globale për atë se çfarë është e rëndësishme për botën. Projekti realizohet në partneritet me banorët e fshatit Reka e Allagës dhe me ta do të punohet që të gjenden mundësi për turizëm të qëndrueshëm.


Vullnetarë nga vende të ndryshme të botës do të jetojnë në shtëpitë e banorëve dhe do të punojnë me fëmijët – e njëkohësisht do të mësojnë edhe vet për Kosovën, për natyrën e Kosovës dhe për njerëzit e saj.


Programi Veror i Rugovës, i financuar krejtësisht nga zemërgjerësia e donatorëve të vegjël individual, është projekt i përbashkët i OJQ “Environmentally Responsible Action” (ERA), “The Ideas Partnership” (TIP) dhe “Balkan Peace Park Project” (B3P).


Projekti përfiton nga përvoja e ERA-s në projekte për mbrojtjen e ambientit dhe ngritjen e vetëdijes për ambientin, në punën e TIP në aktivitete edukative, kulturore e ambientaliste si dhe përkushtimin e B3P për turizëm të qëndrueshëm dhe bashkëpunim mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.


Përfaqësuesja e B3P, Su Jones, thotë se “jemi vërtetë të kënaqur që kemi zgjeruar aktivitetet tona edhe në Kosovë këtë vit. Ky kamp organizohet paralelisht me edicionin e tretë të Programit Veror në Theth”, thuhet në një komunikatë për media nga zëdhënësi Robert Wilton.