Dhuna nuk ndalet në Rumani. Mbi 10 mijë persona dolën në rrugët e Bukureshtit për të pestën ditë me rradhë, për të protestuar kundër planit të kryeministrit, Emil Bok dhe presidentit, Trajan Basesku, për shpëtimin e ekonomisë.



Protestuesit sfiduan motin e ftohtë me thirrjet për liri. Ata mbanin pankarta ku thuhej: “Uria dhe varfëria e kanë bllokuar Rumaninë”.

Disa prej tyre valvisnin flamujt ku ishte prerë pjesa qëndrore, simbol i revoltës së vitit 1989 kundër ish-diktatorit Nikolae Caushesku. Protesta u rregjistruan edhe në qytete të tjerë të vendit.

Tensionet nisën të enjten e kaluar. Dhjetëra persona u plagosën në perleshje me forcat e rendit dhe qindra të tjerë u arrestuan.

Pakënaqësia popullore në Rumani, një prej vendeve më të varfër të BE-së vjen pas masave të shtrënguara të shpëtimit, përballë krizës botërorë, por edhe nga korrupsioni në sferat politike.

Si shkëndijë e protestës shërbeu një plan për reformën e shëndetësisë që solli shkarkimin e zv/ministrit Raed Arafat, një figurë politike shumë popullore në vend. Mjeku mbërriti në Rumani në vitet 1980 dhe riorganizoi shërbimet e urgjencës. Por pavarësisht se qeveria vendosi ta rikthjejë në postin e tij, indinjata e protestuesve vazhdon ende.