Autori i Lajmit: red.
Rumania ka akorduar 70 bursa për doktoraturë dhe posdoktoraturë, të sistemit “Eugen Ionescu”, për studentët nga vendet frankofone që vazhdojnë doktoraturën dhe kërkimet shkencore, sidomos atyre me origjinë nga Evropa Qendrore dhe e Jugut. Bursat, me një vlerë prej 1 milion euro për secilin vit universitar, kanë një kohëzgjatje nga 3 në 10 muaj, në funksion të shtrirjes së projektit të kërkimit. Ambasada rumune në Tiranë bëri të ditur për mediat se bursat akordohen nga Rumania, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe administrohen nga Agjencia Universitare e Frankofonisë. Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve të kandidatëve është 20 shtatori 2008. Për sa u përket procedurave për dorëzimin e dokumenteve, çdo kandidat duhet të kontaktojë një nga 22 universitetet rumune dhe, pasi është pranuar nga njëri prej këtyre, kandidati mund ta dorëzojë dosjen me dokumente në njërën prej zyrave rajonale të AUF. Të gjitha dosjet e kandidatëve do t i transmetohen Zyrës Rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore të Agjencisë Universitare të Frankofonisë, me seli në Bukuresht. Përzgjedhja shkencore e dosjeve do të bëhet nga një komision rajonal ekspertësh, dhe më pas bëhet përzgjedhja finale e dosjeve, nga një komision i përzier, ku Ministria e Punëve të Jashtme ka fuqinë decizive. Rumania paguan një kontribut vullnetar në favor të Agjencisë Universitare të Frankofonisë, me qëllim implementimin e sistemit të bursave “Eugen Ionescu”, destinuar për ata që kryejnë doktoraturën dhe kërkuesve që jetojnë në vendet frankofone.

Ky lajm është publikuar: 21/08/2008