Në Evropën qendrore dhe juglindore është duke u zhvilluar një luftë ekonomike për shuma miliardash. Kemi të bëjmë me shumë gaz nga Deti i Zi – dhe varësinë nga furnizimet me gaz prej Rusisë.


Në pjesën rumume të Detit të Zi janë zbuluar vitet e fundit burime gjigande gazi natyror dhe disa prej tyre janë mbyllur sërish. Sipas vlerësimeve të kujdesshme kemi të bëjmë me të paktën 40 miliardë metër kubik, por sasia mund të jetë edhe 200 miliardë metër kubik. Sasi e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e gjithë Rumanisë për dekadat e ardhshme, por edhe për të eksportuar gaz.


Për të transportuar gazin nga Deti Kaspik në vendet evropiane, u planifikua ndërtimi i një gazsjellësi, BRUA, gërmat e të cilit tregojnë për vendet që marrin pjesë në të, Bullgari, Rumani, Hungari dhe Austri. BRUA pritet të fillojë punën më 2019, sipas një projekti që përkrahet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për zhvillim, EBRD.


Siç ndodh shpesh në projektet e mëdha të sektorit të energjisë, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me polemika të gjata. Aktualisht këtë e tregon një grindje rumuno- hungareze për ligjet ofshore rumune dhe sasinë që planifikohet të kalojë në BRUA-n hungareze.


Në fund të muajit qershor shefi i ndërmarrjes për furnizimin e gazit në Hungari, Kristóf Terhes paralajmëroi politikën rumune që të nxjerrë pa vonesë ligjin për burimet ofshore dhe të furnizojë sasinë e dëshiruar nga Hungaria prej 4,4 miliardë metër kub gaz. Pak pas kësaj ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó shkoi edhe më tej duke thënë se Rumania pengon me shtyrjet e saj sigurimin e energjisë së rajonit. Nga ana e saj Rumania i ktheu akuzat mbrapsht dhe disa politikanë akuzuan Hungarinë se nuk i përmbahet detyrimeve të saj në ndërtimin e BRUA-s.


18 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)