Shënim i Shekullit:


Ky artikull i shkruar nga vetë mediat italiane për Rumaninë, pas pak vitesh mund të rishkruhet fjalë për fjalë për Shqipërinë. Artikulli shpjegon çfarë po ndodh në Rumani, ku ndërmarrjet italiane dërgojnë tashmë plehra të Italisë dhe vendeve të kontraktuara të BE-së. Si për ironi të fatit, edhe lokalitetet në Rumani ngjajnë aq shumë me tonat. Vend-grumbullimi kryesor është afër kryeqytetit, vendi ku shijohen milionat e këtij biznesi i ngjan thuajse në detaje “Bllokut” në Tiranë. Atje arrestohen mafiozë italianë, njësoj si në Vlorën tonë. Edhe atje maunat vijnë fillimisht nga porti dhe shpërndahen në brendësi të vendit. Vetëm se Rumania është 238.391 dhe 22 milionë kurse Shqipëria është 28.748 km 2 me rreth 3 milionë e gjysmë banorë (!)


Mbi të gjitha rumunët vetëm pas disa vitesh të këtij biznesi, kur toka është kalbur dhe prishur kurse liqeni i Glinës është zhdukur, po ndërgjegjësohen çfarë po ndodh.


Shkruan L’Espreso: “Pak javë më parë policia rizbarkoi në Glina. Ndaloi disa kamionë. (nga ato që transportojnë gjoja plehra të zakonshme). Brenda? Ajo që pritej. Substanca ilegale, ngarkesë mërkuri. Këta janë arsyeja që plehrat e Napolit për popullin rumun janë kthyer në një ankth…”


LEspresso:


“Emergjenca Napoli”, për disa, është një pulë që bën vezë të arta. Paguan qeveria, paguan Brukseli, paguajnë të gjithë. Firmosen kontrata me korporata italiane, dhe plehrat ecin në “rrugët” e Kamorrës, të përziera me plehra që në Itali është e pamundur t’i zhdukësh. Nuk është fanta-shkencë, ky është rregulli: Plehrat janë tashmë një biznes që sjell fitime më shumë se sa droga. Kriminaliteti ka bërë një “kapërcim cilësor” duke u hedhur në të ashtuquajturat sipërmarrje ekologjike.


 Rumania dhe Shqipëria


Pësimi i Rumanisë (për të mos folur për vende të botës së tretë) është një mësim i madh për ne, nëse duam të mësojmë dhe të mbrojmë veten dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe atje kontratat janë ligjore dhe kontraktorët thonë që po sjellin thjesht plehra të zakonshme. Por faktet tregojnë se brenda plehrave të zakonshme kryhet trafiku i mbetjeve të rrezikshme të cilat janë problem i madh për tu zhdukur në botën e sotme industriale.


As plehrat e zakonshme nuk kanë përse vijnë në një Shqipëri që nuk trajton dot plehrat e zakonshme të vetat. Por ato janë e keqja më e vogël. Brenda tyre nuk mund ta dish kurrë se çfarë ka. Përfytyroni një anije me ngarkesë nga Napoli, 7 mijë tonelata plehra të paketuara. Mendoni se dikush mund ti kontrollojë ato nëse janë plehra të zakonshme, plehra për riciklim apo plehra të rrezikshme? Në kufirin shqiptar??! Mendoni se dikush do ti shoqërojë ato kilometër pas kilometri në territor shqiptar për të kuptuar se ku venë dhe ku ndalen? Të gjithë e dimë, nga deputeti e deri te qytetari më i thjeshtë, që kjo është e pamundur edhe për shtete shumë më të zhvilluara se ne, kurse për Shqipërinë është thjesht e pamundur!


Dhe diçka tjetër: Rumania mund edhe tia lejojë vetes një devijim. Bëhet fjalë për një vend me sipërfaqe 238 391 km2 dhe 22 milionë banorë. Shqipëria është vetëm 28 mijë km2 me 3.5 milionë banorë. Si mund ta përballojë territori ynë kaq i vogël, groposjen e plehrave të rrezikshme që mund të na vijnë tani që rruga për ngarkesat e plehrave nga jashtë është hapur?