Bukuresht, 2 shtator - Rumania nuk do ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. “Rumania kërkon që Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë me negociatat”, ka thënë presidenti i Rumanisë, Traian Basescu, duke rishfaqur qëndrimin e njohur tashmë të vendit të tij. Deklaratat e tij erdhën gjatë adresimit të takimit të përvitshëm të ambasadorëve rumunë. Presidenti argumentoi se vendimi i GJND-së për Kosovën nuk ka shkuar përmes një gjykimi të duhur të rastit. Deklaratat e Basesc-ut erdhën pasi ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, theksoi javën e shkuar se 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën: Rumania, Spanja, Greqia, Qiproja dhe Sllovakia po hezitojnë të veprojnë sikurse 22 vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Westerwelle, pati deklaruar se shqetësimi i disa vendeve që pavarësia e Kosovës do të ishte precendent nuk ka rezultuar si i tillë. Njohjen e Kosovës nga 5 vendet e BE-së e pati paralajmëruar edhe kryeministri Hashim Thaçi.