E diela është dita e 11-të e Botërorit rus por njëkohësisht edhe dita që do të mbyllë raundin e dytë të ndeshjeve në grupe. Në orën 14:00 në Ninzhy Novgorod Anglia pret Panamanë në një sfidë ku me një fitore tre luanët do të avanconin në fazën tjetër. Kjo ndaj përfaqësues amerikano-qëndrore, konsiderohet një ndeshje më e lehtë në letër se sfida e parë ndaj Tunizisë për skuadrën e Gareth Southgate.


Dele Alli është në dyshim dhe mund ta nisë ndeshjen nga stoli. Anglia do të kërkojë të mbyllë që sot çështjen e kualifikimit në grupin G, për të sfiduar më pas Belgjikën për vendin e parë në grup.


Në orën 17:00 në Central Stadium, në Yaketeringburg do të masin forcat dy skuadrat surprizë të grupit H, Japonia dhe Senegali. Të dyja ekipet kanë nga 3 pikë dhe me një fitore sot do të hidhnin një hap të sigurtë drejt kualifikimit në fazën tjetër. Japonia surprizoi më shumë në ndeshjen e parë duke mposhtur favoriten e grupit Kolumbinë me rezultatin 2-1.


Edhe Senegali bëri një paraqitje shumë të mirë teksa me të njëjtin rezultat mposhti Poloninë. Afrikanët kanë një grup shumë të mirë futbollistësh, ku spikasin Mane e Koulibaly dhe shikohen si një nga ekipet që mund të shkojnë larg në këtë Botëror, prandaj sot ndaj Japonisë, Senegali është skuadra favorite për të marrë tre pikët.


Në mbrëmje në orën 20:00 do të jetë radha e dy skuadrave më të kuotura në momentin e hedhjes së shortit për të kaluar grupin H. Në Kazan Arena luhet Poloni-Kolumbi. Lewandowski përballë Falcaos, apo edhe Zielinski ndaj James Rodriguez sa më shumë sfida brenda sfidës në këtë ndeshje.


Amerikano-jugorët por edhe polakët luajnë shansin e fundit për të avancuar më tej. Kolumbia pavarsisht humbjes ndaj Japonisë nuk bëri një paraqitje të keqe pasi luajti përgjatë gjithë sfidës me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Carlos Sanchez. Ndërkohë në krahun tjetër Polonia zhgënjeu plotësisht ndaj Senegalit teksa u shfaq në fushë si një skuadër pa dëshirë dhe grintë dhe sot pritet reagimi i skuadrës së Adam Nawalkas.


24 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)