Ministria e mbrojtjes e Rusisë thotë se veprimet “armiqësore” të pilotëve ushtarakë izraelitë bënë që sistemet siriane të mbrojtjes ajrore të rrëzonin një aeroplan ushtarak rus të zbulimit.


Zëdhënësi i ushtrisë ruse gjeneral-major Igor Konashenkov tha se ndërsa forcat izraelite po kryenin një sulm në provincën Latakia të Sirisë ato u fshehën pas aeroplanit rus, duke e përdorur si mburojë për tiu shmangur raketave siriane.


Zëdhënësi tha se një raketë S-200 rrëzoi aeroplanin rus, duke vrarë 15 vetë.


Izraeli dhe Rusia përdorin prej disa vitesh një linjë të posaçme telefonike për të njoftuar njëri-tjetrin mbi veprime të caktuara ushtarake në rajon për të parandaluar përplasjet mes tyre. Por zëdhënësi tha se Izraeli e njoftoi Rusinë vetëm një minutë përpara për operacionin e tij, duke bërë që aeroplani rus të mos kishte kohë për të dalë nga zona.


Ai i quajti veprimet e Izraelit “të papërgjegjshme” dhe tha se Rusia do të kundërpërgjigjej me masat e duhura.


Ushtria izraelite e hodhi poshtë akuzën e Rusisë për përdorimin e avionit rus si mburojë, duke thënë se avioni “nuk ishte brenda zonës së operacionit” kur u godit. Ai tha gjithashtu se “kur ushtria siriane lëshoi raketat që goditën aeroplanin rus, avionët izraelitë ishin tashmë në hapësirën ajrore të Izraelit”.


Ushtria izraelite fajësoi grupin militant Hezbollah dhe Iranin për rrëzimin e aeroplanit dhe shprehu hidhërim për vdekjen e ekuipazhit rus.


18 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)