“Si ndodhi kjo?, mësohet se e ka pyetur Vladimir Putin njërin prej bashkëpunëtorëve të tij. Nuk ka punë, nuk ka para, jeta jonë është gjithmonë e më e lumtur- a ia vlen të dalësh në votime për këtë?, i është përgjigjur ai në mënyrë sarkastike.
Zgjedhjet në Rusi ishin një shuplakë për Vladimir Putin dhe partinë e tij, Rusia e Bashkuar. 14 përqind më pak se zgjedhjet e shkuara dhe tani Putin mezi nxjerr kokën tek 50 përqindëshi.
Mediat raportojnë se masat e jashtëzakonshme të sigurisë, madje thuhet se edhe në teatrin Balshoi njerëzit kaluan një kontroll të rreptë- ishin një sinjal për atë që do ndodhte. Diçka që e shohim edhe në Shqipëri. Autobusë të mbushur plot me votues, që mbërrinin në qendra votimi, kuti të mbushura përpara se të niste votimi, nëpunës që detyrohen të faktojnë votën e tyre tek pronarët dhe punëdhënësit. Por prapë ishte një goditje e rëndë për njeriun që nuk di të largohet nga pushteti.
Megjithatë ai është në pushtet dhe me shumë gjasa do bëhet president vitin që vjen. Ai është Leonida Brezhnjev i ri, njësoj si njeriu që qëndroi 40 vjet në pushtet, duke e mbajtur vendin në stanjacion. Por tani është ndryshe. Pak rreze lirie janë të mjaftueshme. Rusia ka ende frikë të shohë realitetin në sy, por po mësohet me idenë se askush nuk është i përjetshëm në pushtet.