SHTYPI AMERIKAN
Një nga sfidat në politikën e jashtme që e presin Presidentin e zgjedhur, Barack Obama, është nevoja për një strategji të re ndaj Rusisë. Moska është partner dhe konkurrent. Ne duhet të punojmë me rusët në çështjet si luftimi i terrorizmit, por Moska sot, është gjithashtu një fuqi nacionaliste revizioniste, që pëlqen t'i përmbysë vlerat e Perëndimit dhe ndikimin e tij në kufijtë me Evropën.
Rusia dëshiron ndryshime të mëdha në rregullat e sigurisë në Evropë dhe kjo dëshirë u nënvizua së fundi kur Moska i bëri shtypje Perëndimit të bjerë dakord me kartën e re të sigurisë evropiane, të propozuar nga Presidenti Dmitry Medvedev.
Rusia e sheh sistemin evropian të sigurisë si NATO-centrik dhe të favorshëm për Shtetet e Bashkuara. Ajo beson se Perëndimi i shfrytëzoi dobësitë e saj në vitet e 90-ta për të imponuar rregulla të padrejta. Liderët rusë, haptas shpresojnë t'i përçajnë Shtetet e Bashkuara nga Evropa dhe ta zvogëlojnë aftësinë e Perëndimit për t'i mbrojtur vlerat perëndimore, të pengojnë zgjerimin e NATO-s dhe ta rilegjitimojnë sferën e ndikimit rus në shtetet fqinje. Hendeku ndërmjet vlerave të Perëndimit e të Rusisë, dhe mënyra e leximit të historisë më të re, sot është më i madhi që nga kolapsi i komunizmit.
E para, Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk janë përpjekur të poshtërojnë Rusinë në vitet e 90-ta. Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë dhënë para dhe ndihma që nuk ishin dhënë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sa i përket zgjerimit të NATO-s, duhet falënderuar zoti që aleanca u zgjerua në Evropën Lindore dhe Qendrore. Imagjinoni si do të ishte stabiliteti i Evropës sot, po të mos kishte ndodhur kjo.
Që nga hyrja e vendeve të reja, NATO-ja nuk ka kryer asnjë stërvitje ushtarake të drejtuar kundër Rusisë, prandaj nuk pinë ujë fjalët se Rusia është e rrethuar me kërcënimet nga Perëndimi. Kështu, vijmë te problemi kryesor. Atë që ne e shohim si histori suksesi - Rusia e sheh si sistem të drejtuar kundër saj. Moska e sheh si ndërhyrje përkushtimin tonë për vlerat dhe normat, që besojmë se janë themeli më i mirë për paqen dhe stabilitetin.
Rusia asnjëherë nuk u bashkua me përpjekjet tona për të krijuar një sistem të ri bashkëpunimi të sigurisë, i cili do t'i braktiste sferat e influencës dhe do të zgjeronte sigurinë në mbarë Evropën, përfshirë dhe Rusinë. Rusia do që t'i çmontojë këto rregulla dhe t'i rikthehet sferës së influencës, koncepteve që ne u druhemi, pjesërisht për shkak se besojmë se ato kanë ndihmuar të shkaktohen aq shumë luftëra dhe shkatërrime në të kaluarën.
*Ish-nënsekretar i Shtetit në administratën Clinton / Botuar në “Washington Post”.