Fituesi i Oscarit, Russell Crowe, ka mohuar spekulimet se ai do të luajë rolin e magnatit të medieve, Rupert Murdoch, raportojnë mediat britanike.

Ylli i filmit "Gladiator" thuhet se është dashur të mishërojë Murdochun në filmin e bazuar në kujtimet e redaktorit të "Sunday Times", Sir Harold Evans.

Për rolin e Evansit thuhet se ka shprehur interesim fituesi i Oscarit, Colin Firth, i njohur për rolet e tij në serinë “Pride and Prejudice” dhe filmat si “The King's Speech” e "Bridget Jones Diary".

Filmi, i cili ende nuk ka një titull, duhet të paraqesë lidhjet e kryeministres britanike, Margaret Thatcher dhe Murdoch, i cili në kohën kur Thatcher ishte kryeministre pranoi ta blejë gazetën "The Times", në këmbim të reklamimit të partisë së saj politike.

Crowe, sidoqoftë, mohoi se do të aktrojë në këtë film.

Por, aktorin 48-vjeçar ne mund ta shohim në ekranet e mëdha në filmin "Harker", i cili do të jetë një version i ri i historisë së vampirëve nga Transilvania. Producent i këtij realizimi do të jetë kolegu i tij, aktori Leonardo DiCaprio, i cili, ndër të tjera, njoftoi se historia origjinale e Bram Stoker ka për të ndryshuar paksa.