Copëza nga ditari I një liceisti është libri me kujtime i artistit Ruzhdi Keraj. Një përmbledhje shkrimesh, të shkruara herët, në formën e një ditari, që sot na njeh me protagonist të rëndësishëm të artit shqiptar, parë me sytë e një liceisti. Me parathënie nga Zhani Ciko, libri sjell një tablo reale të jetës shkollore në Lice.


Ajo çfarë vecohet në këto rrëfime të ndjera, është historia me vajzën të cilën ai e quan Tufja, me të cilën duket se ka pasur një histori dashurie të pamundur.


Unë i thërras Tufe, sepse i mban flokët bisht dhe I lidh me kordele të kuqe. Eshtë pa brune; me sy të mëdhenj të zinj,me trup të hollë e të gjatë sa unë. Studion në pedagogjike. Aty u njohëm kur shkova me Ferdinandin në mbrëmjet që organizonin në shkollë. Shtëpinë e ka tek rrugica afër Liceut. Eshtë vajzë e vetme. Babain e ka diku me punë të rëndësishme, ndërsa mamaja është mësuese, shkruan Keraj. Por historia e tyre nuk do ishte gjithnjë e bukur.


“Sot mora një letër nga Tufja. Ma solli një djalë I vogël. Më shkruante se nuk do të takoheshim më. Babai I saj më quante vagabond, don zhuan dhe të frikshëm, që shëtit lule më lule. Në fund më shkruante se më neveriste dhe se e urrënte kohën që kishim kaluar bashkë, shkruan Keraj. Por pavarësisht se shoku I ngushtë Tishi (Tish Daija), I thoshte se shkrimi në letër nuk ishte I vajzës, asgjë nuk mund ta ndalte trishtimin e djaloshit të dashuruar. Më poshtë po botojmë disa pjesë të shkëputura nga ditari I Kerajt.


***


Tishi më takoi në klasën e flautit. Mu duk nervoz.


-E takova,- më tha.


-Mos u merr ma me të, -foli prapë.


-Ku e takove? e pyeta dhe gati më lëshuan këmbët.


Takimin e Tishit me Tufën kisha ditë që e prisja. Ndarja me një copë letër më futi një trishtim të madh në shpirt. Më krijoi dëshpërimisht një ndjenjë neverie për qëniet që dorëzohen aq shpejt. Dashuria është trime. Unë e dashuroja atë. Të rrija me të, thyeja disiplinën e shkollës, harxhoja orët e studimit. Sa budalla je,-shava veten dhe qesha idhët. Po më dukesh si llogaritar, që mban shënim orët e punës.


-Si të priti?, -e pyeta Tishin.


-Nuk deshi të ndalet. Këmbëngula dhe kur u ndal, më tha:


-Thuaj atij të cojë shkues ndonjë tjetër, jo ty,-dhe ia dha vrapit.


-Ti thu ka marrë fund?-pyeta Tishin.


-Më vjen keq ta them, por po, -foli Tishi dhe doli nga klasa.


***


E hodha prapa krahëve dashurinë e Tufës. Kur më pyesnin shoqet e klasës për të, bëja sikur nuk i dëgjoja. Vazhdoj të shkruaj poezi. Kompozoj ndonjë gjë të vogël dhe vrapoj  si gjithnjë tek Filipi që luan në violinccel. Shokëve të teatrit Aleksandrit, Ymerit dhe Sulës u shkruaj pjesë të vogla teatri. Ata ia paraqesin mësueses dhe I luajnë në klasë.


Sot jam I ftuar në klubin e lidhjes së shkrimtarëve të recitoj poezi nga rrethi letrar I shkollës. Zgjodha së bashku me Faslliun dhe Kujtimin gjashtë poezi. Klubi I Lidhjes ishte në krah të teatrit. Të rehatuar në kolltukë  ishin një grumbull burrash në moshë. Kishte edhe të rinj. Në mes tyre ishte dhe Ismail Kadare. Kur më thirrën dola para tyre, u fola për rrethin letrar të shkollës dhe për mësuese Pandora Dedja si iniciatore. Pastaj recitova gjashtë poezitë. Ismaili më kërkoi emrat e autorëve të tri poezive të para.


-Dy poezitë e para janë të Faslli Halitit, kurse poezia e tretë e Kujtim Mullallit.


Poezitë e mia, duket nuk I krijuan ndonjë interes.


***


Ermelinda, shkodranja e bukur është vajza më e dëshirueshme për ne djemtë, por edhe pedagogët. E gjatë, këmbët e drejta me një gërshetë të trashë, që shpesh e hidhte mbi gjoksin e mbushur. Faslliu e quan sorkadhja që gjithë kohës rri në shenjestrën e meshkujve, por që asnjëri nuk arrin ta godasë. Shkodranja e bukur qesh me lot me të gjithë. Se ka për gjë me ta dhënë një të puthur në faqe, kuptohet si shokë. Ermelinda studion për kanto në klasën e Zonjës Marie Kraja, Me Zonjën Marie , soprano e madhe studion dhe A.., Lorua dhe shoku im Behar Islami. Ermelinda del me vrap nga klasa dhe kë takon në oborr e pyet:-A e keni parë shokun A.? Më pyet edhe mua, por unë nuk I kthej përgjigje. Sula I tregoi se ai ishte në dhomën e partisë.


-Shko ma thirr, ta marrsha të keqen, -I thotë Sulës.


-Më mirë shko vetëm -I thotë Sula dhe ma lot syrin mua,


-Pritna Zot,-kërceu Ermelinda.


-Tamam besa, kam frikë se I bjen të fikët dhe mandaj ndigjo fjalët e halkut, -qesh sorkadhja.


Sula trokiti te dera dhe I tha shokut A se po e kërkojnë. Sa doli tek dera dhe pa para vetes Ermelindën, shoku A I shkretë u skuq e u përflak në fytyrë.


-Pse svjen vetë por dërgon të tjerë moj Ermelindë? Partia ty të pret krahëhapur.


-Shoku A – e ndërpret Ermelinda,-Zonja Marie po të pret për mësim.


-Dëgjo shoqja Ermelindë,-kërceu shoku A. Zonjat dhe zotërinjtë I kemi hedhur me byth përpjetë, tashti ka shok dhe shoqe.


-Leni mor, këto bejte , por hajde se na pret Zonja Marie për mësim, -foli ajo dhe ia futi krahun dhe e tërhoqi mbas vetes.


-Mor Rruzhdi, mos e njeh një vajzë brune me tufë e kordele të kuqe, me një trup të bukur?


-Jo, nuk e njoh,-fola dhe I ktheva krahët.


-Një vajzë që gjithë ditën qan dhe kërkon një djalë flokëzi e vetullzi, një djalë të dobët që vengurë nëpër xhepa të mos e marrë era.


-Jo nuk e njoh, I thirra, të lutem më lër rehat.


-Një djalë që po më bani nervoz, do ia skuq faqen me një shpullë.


-Ermelindë, -ia kthevam-e kam njojt por nuk dua ta njoh ma.


-E pse?- pyeti Ermelinda.


-Sepse dëgjoi, ajo dhe I ati I saj, këtë Osmanin tonë dhe nuk begenisi as me më taku, por dërgoi një copë letër ku mbylli gjithccka.


-Shko takoje , foli Ermelinda dhe më hodhi dorën në qafë.


-Tani është vonë, shumë  vonë-fola dhe u shkëputa nga Ermelinda.


-Flasim prapë,-foli Ermelinda dhe vrapoi të takojë zonjën Marie që po dilte nga klasa.


***


Mëngjeset e ftohta në Tiranë nuk na pengonin të ngriheshim në orën pesë e gjysmëe të fillonim të studionim. I pari ngrihej Ibrahim Madhi. Klasat mbusheshin me nxënës që studionin në instrumentet e tyre. Vetëm qeni I Maries ishte I zgjuar në atë orë, dhe ai fillonte vokalicat me ham-hamet e tij. Kur vinin të jashtmit, ne kishim ngrënë mëngjesin dhe ishim rehatuar në bangat e klasës.


3 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)