Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor në Fier



Arrestohen dhe tre pronarë autoshkollash. Në Fier u dhanë 50 patenta pa testim. Pezullohet kreu i Transportit Rrugor.


Furtunë në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor në Fier. Dhjetë persona u arrestuan për dhënie patentash kundrejt ryshfeteve, ndërsa kreu i Drejtorisë u pezullua nga detyra.

Me kodin Patentat e dyshuara u realizua ky operacion, pasi hetimet për korrupsionin në këtë drejtori kishin nisur që prej muajit tetor të vitit të shkuar. Policia e Shtetit bëri të ditur se të gjithë të arrestuarit, mes tyre dhe një grua, në bashkëpunim mes tyre kanë dhënë patenta në 50 raste, pa qenë të pranishëm personat që u pajisën me këtë dokument. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të arrestuarit janë Emiljano Mone, kryetar i komisionit  për pajisjen me leje drejtimi për mjete pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier; dy anëtarët e komisionit: Emiliano Bushi dhe Paskal Bello; punonjësi i pranimit të dokumenteve për pajisjen me patentë, Xhevair Çaushi; pronari i një autoshkolle në Fier, Bujar Tahiri dhe instruktori Vladimir Nebiaj; Redian Çuko, ish-punonjës i DRSHT-së në Fier; shoferi dhe furnitori i kësaj drejtorie, Agron Saliko; punonjësja e degës së Kryqit të Kuq në Fier, Aldona Daka, si dhe pronari i një lokali, Dylaver Shyti. Shtatë prej tyre iu është komunikuar dhe masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa tre të tjerë janë ndaluar për veprën penale të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksion publik. Bashkë me këto masa është vendosur dhe pezullimi nga detyra i kreut të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier, Luan Baçi, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike të kryera në bashkëpunim. Nga hetimi i kryer dyshohet se punonjësit dhe drejtuesi i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, në kundërshtim me detyrën, kanë kryer veprime abuzive, që konsistojnë në dhënien e lejeve për drejtim automjeti shtetasve të ndryshëm, duke shkelur normat e përcaktuara dhe kundrejt përfitimeve të paligjshme. Në këtë veprimtari të paligjshme janë përfshirë dhe pronarë apo punonjës të autoshkollave, që veprojnë në qytetin e Fierit, të cilët kanë luajtur rolin e sekserit, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shtetit. Dyshohet se numri i personave që janë pajisur me leje drejtimi pa qenë të pranishëm në provimin teorik dhe praktik është rreth 50. Kështu, ata shpalleshin fitues në mënyrë abuzive, kundrejt dhënies së shumave të ndryshme të parave ose ndikimit te drejtuesit. Prokuroria e Fierit sqaroi dje se në disa raste plotësimi i dokumentacionit për regjistrimin dhe pajisjen me leje drejtimi të shtetasve, siç janë vërtetimi i banimit lëshuar nga organet e pushtetit vendor, certifikata mjekësore që lëshohet nga poliklinika shëndetësore, dokumenti për përcaktimin e grupit të gjakut apo dhe fotokopje e dëshmisë për kryerjen e kursit të ndihmës se shpejtë mjekësore pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, bëhet nga vetë punonjës të autoshkollave apo nga persona të tjerë, të cilët luajnë rolin e sekserit kundrejt premtimeve apo përfitimeve të paligjshme, pa prezencën e kandidatit. Hetimet pritet të përfshijnë dhe persona të tjerë të implikuar.


Të ndaluarit e operacionit

1-Emiljano Mone, 30 vjeç, kryetar i komisionit për pajisjen me leje drejtimi për mjete pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Fier

2-Emiljano Bushi, 28 vjeç, anëtar i komisionit për pajisjen me leje drejtimi për mjete pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Fier

3-Paskal Bello, 46 vjeç, anëtar i komisionit për pajisjen me leje drejtimi për mjete pranë DRSHTRR-së, Fier

4-Xhevair Çaushi, 47 vjeç, punonjës i pranimit të dokumenteve për pajisjen me leje drejtimi për mjete në DRSHTRR, Fier

5-Bujar Tahiri, 58 vjeç, pronar i autoshkollës Gerveni-Tahiri

6-Dylaver Shyti, 43 vjeç, pronar i një lokali privat

7-Vladimir Nebiaj, 57 vjeç, instruktor pranë autoshkollës Gerveni-Tahiri

8-Redian Çuko, 29 vjeç, ish-punonjës i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Fier

9-Aldona Daka, 42 vjeçe, punonjëse e degës së Kryqit të Kuq Fier

10-Agron Saliko, 42 vjeç, shofer dhe furnitor pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Fier


Drejtori

Prokuroria, nga hetimet e deritanishme thotë se në shumë praktika ka pasur mungesa në dokumentacion, të cilat janë kaluar kundrejt përfitimit të parregullt të premtuar. Po ashtu, drejtuesi i këtij institucioni, shtetasi Luan Baçi, dyshohet të ketë ushtruar ndikim te anëtarë të komisionit më shumë se një herë. Ky ndikim është realizuar në kundërshtim me detyrën dhe kundrejt përfitimeve të parregullta që i janë premtuar atij, bëri dje të njohur Prokuroria. Kreu i DRSHTRR-së, Baçi, kishte më shumë se tre vjet që drejtonte këtë institucion.


Arrestimet në Durrës

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës u përfshi nga një aksion muajin e shkuar. Punonjës të saj u akuzuan se në bashkëpunim me ata të firmës së kolaudimit të mjeteve pajisnin me dokumentacionin e nevojshme pronarët e makinave që mund të ishin me probleme.


FIER/ MAJLINDA RAMA