Nga: Petrit KUÇANA


Kot shkoni! Nuk ka më ushqim! Kështu na presin këtej nga Nëna Shqipëri, që i vraftë Zoti i vraftë!


Lajmëtari ishte rreth të shtatëdhjetave,me një plis në kokë dhe dukej sikur kishte marrë këtë mision që tu tregonte samitistëve që vijnë valë-valë drejt vendit të ngrënies, se ushqimi kishte mbaruar.


Shumë syresh rrudhnin buzët, në shenjë hidhërimi, dhe shumë të tjerë rrekeshin të gjenin një vend për të ndezur një cigare, pas një ditë goxha të lodhshme.  Dalëngadalë grumbulloheshin përpara asaj qendre tregtare, që dukej sikur shfaqej në mes të askundit dhe pyesnin se ku mund të gjenin një vend për të ngrënë, pasi kishin mbetur  pa drekën qeveritare.  Ata ishin pjesëmarrës në Samitin e Dytë të Diasporës, organizuar nga qeveria shqiptare.


Përçudnueshëm largoheshin ngadalë drejt autobusëve, pasi në darkë ishte ndarja e çmimeve.  Kishte më shumë se huti në sytë e tyre, e përzier me pezm deri në revoltë, nëpër disktimet e tyre me njëri tjetrin. Ata nuk kishin patur rast që të flisnin, të thoshin diçka.


Samiti pa diasporë


Qëkur u lajmërua për organizimin e Samitit të Dytë, diaspora u ndie që do të ishte e thirrura, e ftuara,  sallëmbushësja e një aktiviteti qeveritar. Duke qenë se ishte Samiti i Dytë dhe që nga i Pari asgjëja qëndronte kokëfortë në çdo kërkim, shumëkush nuk pranoi të ishte pjesë, fasadë dhe nuk ishte kryekëput pjellë e fantazisë, po fakt që rëndon tek ata që kanë marrë përgjegjësinë e të qenurit përfaqësues, ligjvënës; qeveritarëve.  Konstatimin e lehtëdallueshëm, si drita e diellit, e konfirmoi edhe kryeministri që u end në fjalët e përpjekjeve, në tjerrjen e tyre pasionante pa mundur të shkoqisë diçka konkrete, qoftë edhe një gjë të hajrit.


Diaspora u përça


Madje po, arriti me sukses të përçajë diasporën.  Që nga Vatra në SHBA e deri tek Rrjeti i Biznesve, u konfirmua linçimi me këtë farë Samiti, pa përfshirë deklarimin e shumë e shumë shqiptarëve nëpër botë, sidomos për pjesëmarrësit e Samitit të Parë. Na fakt, ishin shumë të paktë ata qëkishin marrë pjesë në Samitin e Parë. Nga Londra nuk mund të dalloje më shumë se katër a pesë që vinin sërish. U arrit që Diaspoa, për her të parë, të ndahet zyrtarisht, në samitistë dhe refuzues, ku duket se debati vazhdon akoma nëpër  rrjetet sociale,  nëse duhet vajtur apo jo dhe thuajse askund nuk mund të gjej ndonjë fjalë të mirë për atë organizim që quhej Samit.


E njëjta gjë ndodhi me përfshirjen e shqiptarëve  nga trojet e tjera etnike. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi apo të Luginës mbeteshin terësisht jashtë, pasi me sa kuptohet, sygjerimet për ftesat kanë ardhur nga ambasadat, ashtu siç mungojnë terësisht në Këshillin e Diasporës, një organizëm që legjitimon ndarjen e diasporës shqiptare që, në rastin më të mirë,është idiotësi e pafalshme.


Shifrat astronomike


Në sallën e madhe të Pallatit tëBrigadavefjalimet kaluan shpejt dhe netëorking ishte e vetmja gjë pozitive, jo vetëm e asaj mbrëmjeje. Dëgjoje gjithçka, gjithfarëlloj historish, të atyrë që kishin mbushur atë sallë, që nga ata që qaheshin se ftesën e kanë marrë një ditë para, tek ata që thoshin që ishin ftuar katër herë e deri tek ata që ishin ftuar me telefon. Duket se më e çuditshmja ishte një delegat nga SHBA që tregonte sesi i kishin kërkuar numrin e telefonit të një mikut të tij dhe e kishin ftuar për të nesërmen të nisej urgjentisht, por që e kishte të pamundur për shkak të paparashikueshmërisë. Dikush vjen dhe na kujton se sa kushtonte ajo gotë verë dhe mbase nuk kishte të pranishëm që mund të justifikonte buxhetin e tejfryrë, në çdo aspekt të tij, ashtu siç dukej e papranueshme gjithçkaja e ofruar në këtë samit. Sa kushtonte regjia? A ishin të justifikueshme shpenzimet në stilolapsa e kancelarira, apo shpenzimet e sallave?!. Ra diaspora dhe dikush u pasurua, në kurrizin halleshumë të taksapaguesve shqiptarë.  Duhet të kesh pak sedër për tu marruar…por duket se politika ka imunitetin më të fuqishëm ndaj kësaj.


Në mëngjesin e së nesërmes ishin pjesë e dekorit edhe politikanët, ata të përzgjedhurit, pasi mungonte opozita, mungonin përfaqësuesit e saj. Gjithësesi kishin ardhur nga Kosova dhe Maqedonia dhe u shfaqën në samit tamam sipas skenarit, dekor i paparë që transmetohej posaçërisht në ERTV.


Do të ishte gjëja më e vështirë që aty të gjeje diçka për diasporën, që nga Kryeministri Rama që gjeti rastin ti lëshojë një zë opozitës se kur do të flasim e deri  tek Presidenti i Kosovës, Thaçi,  që u lëkund nga korrigjimi i kufijve. Thuajse nuk mbaruan asnjëherë, derisa Liza Gashi i shkundi me të vetmin fjalim për Diasporën, ku, me mjaft elegancë, kërkoi që ky të ishte samiti i fundit që organizohet nga qeveria.


Zhurmë, sa shumë zhurmë!


Ishin katër salla, ku do të zhvilloheshin katër panele. Më të shkathtët zunë vendet,të tjerët mbetën në këmbë, duke përfshirë edhe ministrin Majko. Dikush i lëshoi vendin dhe se as buzëqeshja e tij dhe as fjalimi tepër elekuent, nuk i hiqnin bezdinë e zhurmës.  Unë isha në sallën ku do të flitej për të drejtën e votës dhe se kaq, e pakuptueshme ishte gjithçka aty, saqë më shumë dëgjonin zhurmat që vinin nga poshtë apo nga anash, sesa çfarë flitej në panel. Duartrokitjet e herëpasherëshme nga sallat e poshtme, apo zhurmat e mikrofonëve e kthenin çdo gjë katastrofë.


Han pa porta ishte e gjithë ajo ngrehinë që sillte pamjet fantastike në 3D dhe tre Ministat e Diasporës, që folën nuk iu larguan dëshirores, kohës së artë që do të vijë për diaspoën…


Nuk dihet nëse dikush mbante shënime për çfarë po flitej aty, por edhe kur viziton panelet e tjera, e sheh që e njëjta gjë ndodh, një gjë për të mbaruar, sipas shprehjes, Mka çu nana me la gojën!.


Postsamiti ishte thuajse me sallë të zbrazur  dhe kushedi kishte mbetur vetëm ndonjë që akoma nuk kishte bërë foto me Majkon, por që nuk kishin si ta dinin se për ta nuk do të kishte më ushqim…


Ambasador i Kombit dhe Ambasador i Partisë


Edhe pritja në Pallatin e Kongreseve ishte brenda ngjyrosjes së boshtësisë së gjithçkaje. Banda frymore, me patjetër, do të ishte në funksion të saj, bashkë me gjetjen e prezantuesit apo të atyre që do të luanin.


Në një skenë që kishte kushtuar miliona e miliona, një bandë frymore ishte një nuancë…  Sapo në ekrane u shfaqën Ambasadorët e Kombit salla u përfshi nga zhurmat, që duket se i bën përshtypje edhe kryeministrit. Nuk dihet nëse gjetja Ambasador i Kombit ishte plotpërmbushëse, me shfaqjen e emrave në ekrane, por duket se ishin treguar tepër të kujdesshëm që të zgjidhnin vetëm 2-3 prej tyre, tamam për tu dukur se edhe të tjerët janë si ata. Akoma nuk dihet se sa është numri i ambasadorëve por ajo që dihej, shihej dhe komentohej aq shumë, ishte neveria e përzgjedhjes apo përzierjes. Bashkë me personat që vërtet e meritojnë këtë titull, ishin edhe ata që kalojnë caqet e komikes, jo hjesht ambasadorët e partisë, por edhe përzgjedhjet e ambasadave. Duhet ti japësh një darkë me qofte ambasadorit që ta marrësh titullin, ishin batutat në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe bisedat vazhdonin me partinë, me miqësitë etj.etj.që, në fund të ditës, lanë një shije të keqe. Ambasadorët shpërblyen uturakët e tyre, duke shlyer çdo rrezatim që kishin ata që vërtet meritojnë të jenë. E kushedi sa do ta refuzonin nëse bëhej një krahasim, por këtë janë punë samiti, të samitit pa diasporë, të samitit që degradoi çdo rrezatim të thekshëm n 3D. E ambasadorët nuk do të mërziten nëse shikojnë që nuk janë të kombit,  por thjesht të partisë, të asaj në pushtet, të asaj kalimtares dhe se nuk ka karton apo emër të shkruar në të që mund të heqë njollat komike që nuk i kalojnë caqet e një darkë me qofte me ambasadorin… atë përfaqësuesin e Shqipërisë.  Me patjetër që media e kazanit tëdiasporës e kishin prishur këtë shkëlqim, pasi e vërteta dhemb më shumë se se çdo PR i kryeministrit, por kjo skishte asnjë pikë rëndësie sesa një mision, pasqyrimi i të vërtetës.


Çfarë u bë? Çfarë u premtua?


Ato pamje dhe foto janë të mjaftueshme për ato ditë. Thua të kenë justifikuar shifrën e mbi 500 000 eurove? Të paktën të bënin një sondazh, apo nuk ka rëndësi… e dinë rezultatin! Dhe u kry, kaq kishte, iku edhe një samit, bashkë me Lezhën e lavdishme…