Në Uashington filluan seancat për konfirmimin e gjykatëses Sonia Sotomajor, kandidatja e caktuar nga Presidenti Barak Obama për Gjykatën e Lartë. 

Demokrati Patrik Leahy, kryetar i komisionit juridik të senatit, foli për arritjet të zonjës Sotomajor dhe përvojën e saj juridike dhe bëri thirrje për një seancë të drejtë konfirmimi.

Republikani Xhef Seshëns shprehu shqetësim që presidenti Barak Obama kërkon një gjykatës që mund të kuptojë shqetësimet e njerëzve të zakonshëm.

Ai tha se nuk do të votojë për një person që, në vend që të jetë i pavarur, mund të lejojë historinë e tij personale, paragjykimet apo simpatitë të ndikojnë tek vendimet që merr.

Republikanët thonë se duan që ajo të shpjegojë disa nga komentet publike dhe vendimet e saj të mëparshme për çështje racore, duke përfshirë një koment të vitit 2001 ku ajo kishte thënë se një hispanike e mençur do të merrte vendime më të mira ligjore sesa një i bardhë që nuk e ka të njëjtën përvojë jetësore.

Nëse konfirmohet nga Senati, zonja Sotomajor do të ishte e para gjyqtare hispanike dhe gruaja e dytë në përbërjen aktuale të Gjykatës, pas anëtares së tanishme Ruth Bader Ginsburg.

Ajo do të zëvendësonte gjykatësin David Suter që doli në pension. Ligjvënësit demokratë presin që konfirmimi i saj të bëhet pa probleme ndërsa republikanët duan që zonja Sotomajor të bëjë disa sqarime publike për disa komente të saj për racën.

Për përkrahësit e saj, Sonia Sotomajor mishëron ëndrrën amerikane. Jeta e saj filloi në një lagje të varfër të Nju Jorkut derisa arriti të bëhej një gjykatëse federale. Ndërsa tani ajo është emëruar si kandidate për gjykatën më të lartë të vendit.

"Unë asnjëherë nuk harroj ndikimin konkret të vendimeve të mia tek individët, bizneset dhe qeveria".

Presidenti Obama thotë se përvoja e gjerë ligjore e kombinuar me atë jetësore dhe ndjenjën njerëzore e bëjnë atë një të emëruar ideale për gjykatën.

"Dhe kur Sonia Sotomajor të ngjisë shkallët e mermerit dhe të zërë vendin në gjykatën e lartë të vendit, do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm për Amerikën drejt realizimit të idealit që është gdhendur në hyrjen e kësaj gjykatë: Drejtësi e barabartë sipas ligjit".

Zonja Sotomajor përballet me seancat e konfirmimit para Komisionit Juridik të Senatit ku republikanët kanë premtuar pyetje të rrepta, por të drejta.

Pyetjet ndaj zonjës Sotomajor mund të kenë të bëjnë me pikëpamjet e saj ligjore dhe politike, por edhe me të shkuarën e saj.

Seancat përbëjnë një provë të rëndësishme politike për Presidentin Obama, thotë konsulenti republikan Tom Korologos.

"Presidentët duhet t'i fitojnë debatet për këto çështje. Nëse humbin, do të demoralizonte gjithë ekipin për çështje të tjera në të ardhmen".

Grupe aktivistësh liberalë dhe konservatorë po bëhen gati të debatojnë lidhur me kandidaturën e zonjës Sotomajor. Dag Kendall është president i Qendrës liberale për Përgjegjësi Kushtetuese në Uashington.

"Ne nuk mbështesim zyrtarisht kandidatët para se të mbyllen seancat e konfirmimit, por nga sa kemi parë jemi të kënaqur. Ajo është një gjykatëse e zonja që i ndjek me kujdes ligjet dhe rregullat, mbështetur tek e drejta dhe mendoj se kështu duhet të jetë një gjykatës".

Konservatorët i kanë kritikuar komentet që zonja Sotomajor ka bërë para disa vitesh se një hispanike e mençur do të merrte një vendim më të mirë ligjor sesa një burrë i bardhë që nuk e ka pasur përvojën e saj jetësore. Tom Fiton është President i shoqatës Judicial Watch.

"Ajo nuk është personi i duhur për gjykatën. Është shumë e prirur politikisht dhe ka tendenca kur bëhet fjalë për racën dhe me siguri që ka kandidatë më të mirë".

Zoti Fiton thotë se organizata e tij po mobilizon konservatorët për të kundërshtuar emërimin e saj në Senat.

Zonja Sotomajor duhet të ketë kujdes kur t'u përgjigjet sulmeve të republikanëve gjatë seancave, thotë Tom Korologos.

"Po dalin njoftime se si anëtare e gjykatës së apelit, ajo e humbte herë pas here qetësinë. Nëse ajo shfaq një tendencë të tillë në seancë, ajo do të ketë probleme".

Por ai shton se republikanët duhet nga ana tjetër të tregohen të përmbajtur kur marrin në pyetje zonjën Sotomajor dhe të kenë parasysh ndikimin e mundshëm tek zgjedhjet për kongresin vitin e ardhshëm, si edhe ato presidenciale të vitit 2012.

"37-38 për qind e votuesve do të jenë hispanikë dhe ata ndjehen krenarë për simbolikën e emërimit të zonjës Sotomajor. Është diçka shumë e rëndësishme për ta, kështuqë vota kundër saj do të kishte pasoja".

Ndërsa demokratët kanë 60 nga 100 vendet e Senatit, shumë ekspertë besojnë se zonja Sotomajor do të konfirmohet në kohë për të zënë vendin në Gjykatën e Lartë kur të fillojë mandati i ardhshëm i saj në tetor.//ii