Brett Kavanaugh, kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë amerikane është pranë konfirmimit në këtë post.


Senatorja republikane Susan Collins, që shihej si e lëkundur, njoftoi të premten pas një fjalimi të gjatë se do të votonte pro konfirmimit të gjykatësit Kavanaugh. Pas vendimit të saj, republikanët e senatit duket se i kanë numrat për votimin përfundimtar që është caktuar për sot.


Përpara votimit përfundimtar, senatorët mbajtën të premten një votim procedural, për ti dhënë fund debatit të ashpër që ka përshkuar procesin e konfirmimit të gjyqtarit Kavanaugh në Senat.


Votimi i së premtes rezultoi me 51 vota pro dhe 49 kundër, duke e avancuar konfirmimin në Senatin e plotë.


Gjatë një tubimi të enjten në Minesota, Presidenti Trump la të kuptohet se demokratët do të paguajnë një çmim për kundërshtimin që i bënë kandidaturës së Kavanaugh:


“Mjafton të shikoni sondazhet gjatë tre apo katër ditëve të fundit, të cilat tregojnë se rezistenca e tyre, pasojë e zemërimit që kanë, po fillon tu vijë si bumerang në një nivel që askush nuk e ka vërejtur ndonjëherë më parë”, tha presidenti.


Procesi i konfirmimit të Kavanaugh u zvarrit gjatë për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij nga tre gra për abuzim seksual. FBI-ja bëri një hetim, por raporti i saj për të parë nëse akuzat kanë pasur ndonjë bazë është pritur me reagime kryesisht në linja partiake.


6 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)