Sondazhi shokues






Sondazhi i CNN tregon se një në dy amerikanë nuk do që presidenti i tyre të fitojë një mandat të dytë. Ndërkohë, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka mbrojtur fort planin e tij financiar kundër krizës




Sipas 52 për qind të amerikanëve, presidenti i tyre, Barak Obama, nuk meriton të rizgjidhet në 2012-ën. është ky rezultati i një sondazhi shokues i rrjetit të famshëm CNN, sipas të cilit 44 amerikanë në 100 janë shprehur të gatshëm që të konfirmojnë Obamën për mandatin e dytë, më pak se shumica e të anketuarve, që është gati të dërgojë dikë tjetër në Shtëpinë e Bardhë. Diferenca 52 me 44 është vënë re si në popullsinë e përgjithshme, po ashtu edhe tek amerikanët e regjistruar për të votuar. Vetë presidenti ditët e kaluara pati thënë se do të preferonte të kujtohej vetëm për një mandat të mirë, sesa për dy mandatë të këqij. Numrat mbi rizgjedhjen e tij janë më negative për Obamën, në krahasim më treguesit e aprovimit dhe disaprovimit: 49 për qind e të anketuarve i ka thënë CNN-it se aprovon punën e presidentit, ndërsa 50 në 100 e disaprovojnë. Sipas CNN, një prej problemeve të Obamës është se klasa e mesme nuk është identifikuar me të, vetëm 4 për qind e amerikanëve vetëidentifikohen të pasur, por 45 për qind e tyre mendojnë se Obama është i tillë, 3 për qind më shumë sesa ata që e konsiderojnë edhe presidentin pjesë të shtresës së mesme. Numrat jo shumë inkurajues për Obamën koincidojnë me një analizë të revistës online “Politika” mbi perspektivën elektorale në kuadër të zgjedhjeve lokale të mes mandatit të presidentit. Sipas gazetës, gjeografia politike e SHBA-ve që presidenti e ndryshoi radikalisht, duke bërë që shtete të pasigurta apo republikane të votonin për demokratët, po rindërtohet me skemat e së kaluarës. Në nëntor të 2008-ës, Obama pati thyer rolin deciziv të Floridës dhe Ohajos në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm dhe i vuri në defensivë republikanët në shtete që deri në ato moment ishin të sigurt për ta, si Indiana, Karolina e Veriut, Virxhinia, si dhe disa shtete të Perëndimit. Por sot, ndërsa po afrojnë zgjedhjet e mesit të mandatit, në po të njëjtat shtete, kandidatët demokratë në Senat, dhomën e përfaqësuesve dhe në vendet e guvernatorëve janë në rrezik dhe ka shumë mundësi që të humbin.


Obama: Ndihmat shpëtuan ekonominë


Plani stimulues i qeverisë amerikane për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit “po funksionon. Janë fjalët e vetë presidentit amerikan Barak Obama, i cili shtoi se pa masat e ndërmarra, mbi 2 milion amerikanë do të gjenin veten sot pa punë. Obama siguroi gjithashtu, se do të bëjë gjithçka për të bërë që ekonomia amerikane të rikthehet në lëvizje. Plani i stimulimit financiar me një vlerë prej 787 miliardë dollarësh u lançua saktësisht një vit më parë.






Në pranga ylli i BBC-së



Vrau partnerin e sëmurë me AIDS



Pranoi hapur në televizion se ka vrarë partnerin e tij, një i sëmurë terminal (që nuk ka shërim) me sidë. Tani ylli 70-vjeçar i BBC-së, Ray Gosling, veteran i televizionit dhe radios publike britanike, ka përfunduar në pranga me akuzën për vrasje. Prezantuesi i famshëm, i arrestuar dje në mëngjes nga agjentët e Nottinghamshire, pati shpjeguar në televizion se vetëvrasja e asistuar e të dashurit të tij ishte fryt i një pakti tepër të saktë mes dy partnerëve. “Kishim bërë një marrëveshje, që nëse gjërat do të shkonin keq, unë do t’i jepja fund jetës së tij. Dhe pikërisht këtë bëra, pasi mjekët thanë se nuk kishte më asnjë rrugëdalje për të dhe se ai po vuante në mënyrë të tmerrshme”, - tha Gosling për BBC-në. “Mora jastëkun e tij dhe ia vendosa mbi fytyrë derisa vdiq”. Në intervistën e lëshuar programit të BBC-së, “Inside Out”, prezantuesi nuk saktësoi se kur dhe ku (megjithëse besohet se ka ndodhur shumë vite më parë) ndodhi ngjarja, dhe nuk deshi as të tregojë identitetin e të dashurit të tij të sëmurë. Por Gosling theksoi se e konsideronte vetëvrasjen e asistuar si zgjedhjen e duhur dhe se nuk kishte asnjë brejtje të ndërgjegjes. Ndërkohë, policia e Nottinghamshire konfirmoi dje se ka arrestuar një 70-vjeçar me akuzën për vrasje, por pa përmendur emrin e Gosling. Por autoritetet pranuan se ishin njohur me ngjarjen vetëm pas rrëfimit të tij në televizion. Rrëfimi i prezantuesit ndodhi në një moment kur në Britaninë e Madhe është ndezur debati lidhur me vetëvrasjen e asistuar të të sëmurëve terminalë, të cilët janë objekt i betejave të shumta ligjore. Brenda pak ditësh, prokurori i përgjithshëm, Keir Starmer do të prezantojë një paketë linjash drejtimi mbi këtë çështje. Aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar, të ndihmosh dikë që të vetëvritet konsiderohet një krim, i ndëshkueshëm me një dënim deri në 14 vjet heqje lirie. Opinion publik britanik është kryesisht në favor të një modifikimi të ligjit mbi eutanazinë (vdekjen e vullnetshme) dhe asistencën ndaj vetëvrasjes. Sipas një sondazhi të disa ditëve më parë, 3/4 e personave të intervistuar janë të mendimit se u duhet lejuar familjarëve të asistojnë të sëmurët terminalë drejt ndërrimit të jetës. Sër Terry Pratchett, autor i njohur anglez i romancave fantazi, që vuan nga sëmundja e Alzhaimerit, ka thënë se do të lançojë një iniciativë për krijimin e një gjykate të posaçme për të sëmurët terminalë.