Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Vjenë, 30 prill 1976 – “Partia e Punës së Shqipërisë ka denoncuar dhe më pas përjashtuar një fraksion që kërkonte të minonte marrëdhëniet me Kinën dhe ta kthente vendin e vogël ballkanik edhe një herë në krahët e Kremlinit”, - lajmëroi ditën e sotme udhëheqësi i PPSH-së, Enver Hoxha. Fjalët për atë që doli të ishte një grusht i dështuar shteti erdhën pas muajsh të tërë lajmesh nga media lindore dhe perëndimore për fushatën e spastrimeve dhe një lufte të vazhdueshme për pushtet në Shqipëri, e cila u nda nga Moska për çështje ideologjike 15 vjet më parë. Shqipëria, një vend malor në Ballkan, me 2.5 milionë banorë, përtej Italisë në detin Adriatik, është diçka më e madhe në sipërfaqe se Merilendi në SHBA. Hoxha 67-vjeçar, tha se ministrat e Bujqësisë dhe të Arsimit ishin shkarkuar për shkak “të gabimeve serioze gjatë ndjekjes së linjës së partisë dhe realizimin me rigorozitet të funksioneve të tyre. Ai nuk e bëri të qartë nëse këta dy ministra kishin lidhje me fushatën antikineze. Pirro Dodbiba mbante portofolin e ministrit të Bujqësisë që prej vitit 1965 dhe Thoma Deljana ishte ministër i Arsimit dhe i Kulturës që prej vitit 1966. Hoxha është udhëheqësi politik i vendit tashmë prej 33 vitesh dhe ky ishte spastrimi i tretë në Partinë e Punës në Shqipëri brenda më pak se tre vitesh. Fjalimi i Hoxhës, në të cilin ai tha se “armiqtë e brendshëm dhe tradhtarët” po përpiqeshin të minonin miqësinë e Shqipërisë me Kinën e Kuqe, u soll nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH). Ai e mbajti fjalimin e tij në metalurgjikun e Elbasanit që ishte ndërtuar me ndihmën e kinezëve. Udhëheqësi shqiptar, i cili më herët ishte lajmëruar se ishte shumë sëmurë, deklaroi se armiqtë e regjimit të tij “donin të sabotonin ndërtimin e socializmit dhe shkatërronin themelet e atdheut tonë komunist”, por ata ishin “zbuluar nga partia jonë, e cila i denoncoi dhe më pas përjashtoi ata”. Gjuha e Hoxhës tregonte qartazi se ai kishte vepruar me dorë të hekurt kundër “tradhtarëve” dhe linte të kuptohej se kundërshtarët e tij prosovjetikë nuk do të arrinin asnjëherë të vinin shkopinj në rrugën marksist-leniniste që Shqipëria kishte nisur të ecte. Në fjalimin e tij Hoxha përmendi lidhjet e pathyeshme të popullit kinez me atë shqiptar. Udhëheqësi i PPSH-së i denoncoi komplotuesit se kishin tentuar të “shkatërronin miqësinë tonë me motrën Kinë... dhe lidhjen e vendit tonë me revizionistët sovjetikë”. Hoxha përmendi “luftën e klasave” në Pekin si një referencë të qartë ndaj luftës së udhëheqjes kineze. Ai u zotua për miqësi të palëkundur dhe besnikëri ndaj Mao Ce Dunit. Lajme të pakonfirmuara për spastrime të kuadrove më të larta drejtuese të vendit në Shqipëri janë përcjellë për një kohë të gjatë nga mediat e Evropës Lindore. Ato përmendnin spastrimin e vjeshtës së shkuar të Abdyl Këllezit, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Shoqërisë së Miqësisë Shqiptaro-Kineze. Pas këtyre zhvillimeve disa vëzhgues thanë se lufta për pushtet ishte përqendruar tek vetë pasardhësi i Enver Hoxhës, i cili ashtu si kryeministri Mehmet Shehu, thuhej se ishin shumë sëmurë. Këto vitet e fundit, sovjetikët kanë kryer një sërë përpjekjesh për ta kthyer edhe një herë tjetër Shqipërinë në kampin e tyre, por që të gjitha kanë dështuar. Për 2 postet ministrore të lëna bosh nga Pirro Dodbiba dhe Thoma Deljana, Hoxha emëroi dy zonja. Themie Thomain (ministre e Bujqësisë) dhe Tefta Camin (ministre e Arsimit dhe e Kulturës), e cila deri më tani kishte mbajtur postin e sekretares së Parë të Komitetit të Partisë të rajonit Nr.1 në Tiranë. Shqipëria, shteti më i ashpër marksist-leninist i botës, ka nisur kështu një tjetër fushatë të re ideologjike spastrimi, ndërsa udhëheqësit e saj të vjetër kërkojnë të pengojnë përgjithmonë mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me Moskën. Çdo armëpushim me Kremlinin përjashtohet për shkaqe ideologjike, edhe pasi udhëheqja e PPSH-së të dalë nga skena politike e vendit. Tashmë shprehja e Hoxhës: Armiqtë dhe tradhtarët brenda Shqipërisë, të cilët “ngrenë kokat e tyre” do të goditen “menjëherë sa tu duket maja e veshit”, është shndërruar në një klishe. Ka pasur spastrim në shkallë të gjerë këto dy apo tre vitet e fundit, çka tregon edhe një herë se paralajmërimet e Hoxhës nuk duhen kurrsesi shpërfillur. Një nga qëllimet e këtyre “shkundjeve” duket se është për të ndalur revizionimin e rrugës së izolimit të Shqipërisë, kur Hoxha dhe kolegu i tij më i afërt, kryeministri Mehmet Shehu, 62 vjeç, të lënë drejtimin e Partisë, duke marrë parasysh dhe zërat se ata nuk gëzojnë shëndet të plotë këto kohët e fundit. Asnjë akuzë publike nuk është drejtuar kundër Beqir Ballukut apo zyrtarëve të tjerë që janë ulur në pozitë këtë vit. Beqir Balluku ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes në Republikën Popullore të Shqipërisë që prej vitit 1953 dhe ka qenë njëkohësisht zëvendëskryeministër nga viti 1954. Balluku ka qenë anëtar i Byrosë Politike këto 25 vitet e fundit. Spastrimet e udhëheqësit komunist shqiptar kundër kundërshtarëve të tij politikë u ngjasojnë atyre të përdorura gjatë “Revolucionit Kulturor” kinez. Gjatë spastrimeve të fundit, qeveria Hoxha ka adaptuar një sërë dekretesh që të kujtojnë “Revolucionin Kulturor Kinez”. Njëri ndër dekretet u kërkon të gjithë zyrtarëve të lartë dhe nëpunësve të tjerë, të kryejnë një muaj punë fizike të detyruar në prodhim ose në fermat kolektive. Gazeta e partisë, “Zëri i popullit”, dha disa të dhëna kohët e fundit, kur shkroi se “më shumë burokratë janë hequr këto muajt e fundit”, sesa nga spastrimet e njëjta bërë gjatë viteve 1966-1967.

Ky lajm është publikuar: 06/03/2010