adi shkembi

Në kulmin e debateve mes maxhorancës dhe opozitës për reformën në drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Ame-rikës kërkojnë respektimin e institucioneve të pavarura. Zv.sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, në një vizitë dyditore në Shqipëri ka vënë theksin pikërisht tek institucionet e pavarura, respektimi i të cilave sipas tij ndihmon ndërtimin e një demokracie të fortë. “Shqipëria ka bërë përparim domethënës deri më sot për të përmbushur reformat për të cilat ka shumë nevojë dhe jam shumë i kënaqur nga diskutimet e mia sot, që di se këto reforma do të vazhdojnë dhe që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë institucionet e pavarura, aq jetësore në këto reforma, sepse do të ndihmojnë vendin tuaj të ndërtojë një demokraci dhe ekonomi të fortë”, tha dje në Tiranë zyrtari i lartë i Pentagonit, gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me Presidentin Bamir Topi. Kurse në takimin me Kryeministrin Berisha, England tha se, “nxis si qeverinë, ashtu edhe popullin të vazhdojnë këto reforma dhe të respektojnë institucionet e pavarura, që do të ndihmojnë vendin tuaj të ndërtojë një demokraci dhe ekonomi të fortë”. Presidenti Topi siguroi gjatë takimit me England, se Shqipëria do të vazhdojë me reformat që ato të realizohen në një kohë sa më të shpejtë. “Unë e sigurova z. England, që Shqipëria dhe institucionet e saj dhe gjithë politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare, jo vetëm e konsideron këtë si një shenjë të çmuar të këtyre marrëdhënieve dhe të suportit që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por si një moment të angazhimit të plotë për vazhdimin e reformave, reformave politike, institucionale dhe ekonomike, në mënyrë që standardet që kërkohen nga Shqipëria të realizohen sa më shpejtë të jetë e mundur”, u shpreh kreu i shtetit në deklaratën e përbashkët për shtyp. Gjatë daljes para mediave me Kryeministrin Sali Berisha, zv.sekretari amerikan i Mbrojtjes u shpreh se në takimin mes tyre u fol edhe për municionet e pademontuara. “Kryeministri dhe unë patëm mundësinë të diskutonim një numër temash të rëndësishme për të dy vendet tona. Folëm mbi stabilitetin e rajonit, modernizimin ushtarak të Shqipërisë, klimën e biznesit, reformat në vazhdim, si dhe çështjen e municioneve të pashpërthyera”, u shpreh England. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi autoriteteve amerikane që të sjellin vëzhgues për zgjedhjet e ardhshme, duke siguruar se procesi zgjedhor i vitit 2009 do të plotësojë standardet e kërkuara. “Unë e informova zotin England për reformat politike, reformat ekonomike dhe reformat e gjithanshme, duke u ndalur veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme, ku shpreha vendosmërinë e qeverisë sime për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe parashtrova kërkesën për vëzhgues nga institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këto zgjedhje”, theksoi kreu i qeverisë. Herët në mëngjes England u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Gjatë këtij takimi, mes dy delegacioneve, sipas Oketës, u vlerësua bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve. “E sigurova zotin England, se ashtu si më parë edhe në të ardhmen, SHBA do të gjejnë tek Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura aleatin e sigurt në përpjekjet për demokraci, paqe e siguri globale. Shqipëria do të vazhdojë rrugën e reformave me bindjen dhe besimin se Samiti i ardhshëm i NATO-s do shënojë për ne anëtarësimin e plotë në NATO”, theksoi Oketa.


England: Falënderime Oketës dhe gruas së tij të bukur
Në takimet me krerët e shtetit nuk kanë munguar as falënderimet e zv.sekretarit amerikan të Mbrojtjes për familjarët e tyre. Gjatë daljes së parë në media, në krah të ministrit Oketa, England ka falënderuar ministrin dhe bashkëshorten e tij për mikpritjen, duke thënë: “Është kënaqësi e madhe që jam në këtë vend të bukur dhe falënderoj shumë ministrin Oketa dhe bashkëshorten e tij të bukur për mikpritjen e mrekullueshme që kur gruaja ime Doti dhe unë arritëm dje”. Falënderimet personale për Oketën nuk kanë munguar as në ceremoninë në Pallatin e Brigadave. “Zoti ministër i Mbrojtjes, Oketa, ju falënderoj për udhëheqësinë tuaj dhe falënderime të posaçme për ju dhe gruan tuaj Adela, për mikpritjen dhe miqësinë personale”.