Vazhdon momenti i lavdisë për Rick Santorum, një katolik ultrakonservator, pas triumfit në tre zgjedhjet e fundit primare në radhët e republikanëve.


Sipas sondazhit të fundit të kryer nga Public Policy Polling, për herë të parë që nga nisja e betejës së nominimit, ish-senatori i Pensilvanisë ndodhet në krye me 38 për qind të popullaritetit në rang kombëtar.


I dyti, por me distancë të gjatë, ndodhet Mitt Romney, me 23 për qind të preferencave, i ndjekur nga Newt Gingrich me 17 për qind.


Së fundmi Santorum korri një sukses të trefishtë në zgjedhjet e mbajtura në Minesota, Misuri dhe Kolorado, duke rihapur përsëri garën për përzgjedhjen e kandidatit republikan për president në SHBA.


Santorum kryesoi me diferencë të madhe përpara favoritit Romney, i cili e pati të vështirë të fitonte pikë midis linjës konservatore të partisë.


Fituesi i zgjedhjeve republikane do të sfidojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit Barack Obamën, i cili vetë garon për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.


Pak ditë më parë presidenti amerikan deklaroi se e meritonte një mandat të dytë për të qeverisur Shtetet e Bashkuara.


Deklarata e tij, në një intervistë për NBC, erdhi teksa sondazhet e fundit tregonin se kuota e miratimit të figurës së tij kishte kaluar 50 për qind, për herë të parë që prej majit 2011.