Shtetet e Bashkuara të Amerikës urdhëruan të gjithë stafin e jo-domosdoshëm diplomatik dhe familjet që të largohen nga ambasadat në Sudan dhe Tunizi.



Në një komunikatë, të publikuar të dielën nga Departamenti i Shtetit, i kërkohej gjithashtu qytetarëve amerikanë në Tunizi që të largohen prej vendit të Afrikës Veriore.

Vendimi erdhi pasi ambasadat në Tunis dhe Khartoum u sulmuan në kuadrin e protestave të botës muslimane pas publikimit të një filmi amerikan me përmbajtje ofenduese ndaj Profetit Muhamed.

Më parë, Sudani i mohoi SHBA-ve që të dërgonin në vend marinsa për të mbrojtur ambasadën e tyre.

Sipas zyrtarëve sudanezë, forcat vendase të sigurisë ishin të afta që të siguronin pa asistencë ruajtjen e ambasadës.

Tre persona mbetën të vrarë në sulmin e së premtes ndaj ambasadës në Khartoum. Misionet diplomatike të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe gjithashtu u sulmuan.

Në deklaratën mbi Sudanin, Departamenti i Shtetit veçonte se “qeveria sudaneze ka marrë disa masa për të kufizuar aktivitetin e grupeve terroriste, por elementet radikalë mbeten dhe ata kanë kërcënuar se do të sulmojnë interesat amerikane dhe perëndimore kudo në botë”.