Administrata e Presidentit Trump njoftoi se do t’i japë fund një programi që mbron imigrantët e rinj nga deportimi. Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions e bëri njoftimin sot duke e quajtur programin e njohur si DACA një “ushtrim antikushtetues të autoritetit nga dega ekzekutive”. Programi DACA i miratuar nga administrata Obama, ofron mbrojtje nga deportimi për emigrantët e paligjshëm që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur. Prokurori i Përgjithshëm tha se administrata Trump po i kërkon Kongresit të gjejë një mënyrë alternative për të mbrojtur imigrantët e rinj të ardhur në vend ilegalisht kur kanë qenë fëmijë.


Zoti Session tha se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një sistem imigracioni të ligjshëm që ”i shërben interesit kombëtar” dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të pranojnë të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë në vend.Ndërkohë para Shtëpisë së Bardhë, grupe aktivistësh dhe imigrantë të rinj po protestojnë kundër vendimit për t’i dhënë fund programit Daca. Me këtë akt Presidenti Trump përmbush një nga zotimet kryesore të fushatës. Menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, u duk se presidenti po e zbuste tonin në adresë të atyre që janë sjellë ilegalisht në këtë vend kur ishin fëmijë. Do të tregojmë që kemi zemër të madhe. DACA është një temë shumë, shumë e vështirë, pati thënë presidenti. Por presidenti dhe shumë republikanë në Kongres besojnë se programi DACA është një akt i paligjshëm, pasi anashkaloi Kongresin. Me anullimin e tij afro 800 mijë imigrantë të paligjshëm mund të jenë nën rrezikun e deportimit. Ceasar Vargas, Koalicioni Dream Action


Si jurist, si person i mbrojtur nga DACA, unë rrezikohem të humbas të drejtën për të praktikuar profesionin, të drejtën e punës, pantentën e makinës, thotë aktivisti Ceasar Vargas. Zyrtarët kanë thënë se masa shoqërohet me një afat kohor për ti dhënë mundësi Kongresit të merret me këtë temë: -Bernie Sanders, senator:- I them Kongresit amerikan, se nëse Presidenti Trump i përmbahet këtij vendimi të pashpirt, ne e kemi për detyrë të miratojmë një ligj që të mbrojmë këta të rinj dhe ti japim programit formë të përhershme, thotë Senatori Bernie Sanders. Anëtarët e Kongresit nuk ishin pjesë e procesit për hartimin e këtij programi, i cili u krijua me urdhër ekzekutiv të ish-presidentit Obama. Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan ka thënë se Kongresi duhet të gjejë një mënyrë për ti mbrojtur të rinjtë që mbulohen nga programi DACA.


Profesori i jurisprudencës David Abraham, i cili foli përmes Skype-it thotë se ka ndërlikime të tjera nga ky vendim: Bëhet fjalë për 800 mijë vetë, gjysma e tyre në Teksas dhe Kaliforni, të cilët janë pjesëtarë shumë produktivë të shoqërisë: vazhdojnë studimet, shërbejnë në forcat e armatosura, jetojnë një jetë të pastër, pasi një ndër kërkesat për mbrojtje nga DACA është të mos kenë pasur përplasje me ligjin. Një betejë e re politike hapet në Uashington, ndërkohë që në të gjithë vendin qindra mijëra të rinj janë para një të ardhmeje të paqartë.


5 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)