Trupi i pajetë i një 23 vjeçari është gjetur mëngjesin e sotëm pranë qytetit të Korçës. Policia thotë se personi mendohet se është ekzekutuar me një plumb në gjoks. Sipas disa shifrave të publikuara nga media, kjo është viktima 105 për këtë vit, që nuk është mbyllur ende. Policia ende nuk ka dalë të mbajë një qëndrim për këto shifra lufte. Vetëm ditët e fundit shqiptarët kanë përjetuar dy vrasje gjatë grabitjeve, vrasjen misterioze të një oficeri të SHISH, një vrasje në Elbasan në një lokal dhe vrasjen e sotme në Korçë. Nuk është Kandahar, por është Shqipëria e vogël me 3 milion banorë. Krimet e rënda, si ai i vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, nuk janë zbardhur ende, po kështu edhe vrasja e oficerit të SHISH. Krimi në familje nuk di të ndalur. Gjakmarrja është një fenomen që sipas Berishës është normal në këtë vend kurse rajone të këtij vendi, si Lazarati, vijojnë të jenë jashtë kontrollit të policisë.