Rubrika/Në gjuhën tonë të bukur: shqip

1.Kur Shkodran Mustafi shenoi golin e parë kundër Ukrainës për skuadrën gjermane, shqiptarët u gëzuan dyfish. U gëzuan se shenoi Gjermania, ekip i zemrës për shumicën e tyre. U gëzuan se shenoi një lojtar i gjakut tonë, i pari futbollist shqiptar kampion bote: dy vjet më parë qe në përbërje të ekipit fitues të kupës së botës në Brazil. Mbrojtësi me fanellën numër 2 shkëlqeu edhe si sulmues.

Duket se topi s'kaloi pa u gudulisur edhe në rrjetën e diplomacisë. Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e ironizoi butë ministrin e jashtëm në Tiranë, kur iu përgjigj me një pohim disi grotesk: "Më duhet të pranoj se që prej golit të parë të shenuar... prej Shkodran Mustafit, interesi për Shqipërinë është rritur ndjeshëm në Gjermani"!

Në botën shqiptare vemendje ka tërhequr edhe emri i padëgjuar i djaloshit prej Gostivari. Në ç'rrethanë është quajtur Shkodran?

2.Emrat shqiptarë të traditës kanë disa burime kryesore.

Kanë prejardhje fetare, kryesisht emra shenjtorësh, në të tri fetë.

Prejardhje nga emra personalitetesh historike e kulturore: Lekë, Skender, Gjergj. Më vonë Migjen, Asdren...

Prejardhje nga fjalë shqipe: Bardhec (emri i Marin Barletit), Mirash, Mbarime.

Nga emra sendesh: Borë, Dilë (nga diell), Guri, Bajame, Drande (shkurtim i drandofile - trëndafil).

Nga emra kafshësh: Pëllumb, Ujkan, Thëllëzë, Sokol.

Ka edhe emra të lënë nga pushtuesit ose të përftuar si ndërhyrje kulturore: Asqeri, Bepin, Vladimir, Leontjev.

Kjo është tradita. Ajo ka vazhduar, duke iu përshtatur pjesërisht kohës.

Emrat prej fjalësh shqipe janë pasuruar me të tjerë që shprehin vlera morale, atdhetare ose kulturore. Besa, Dashamir, Liridona, Leutrim, Arsim.

Janë përhapur emrat ilirë.

Janë përhapur emra të huazuar nga emërvende historike e turistike: Valbona, Aulona, Drenica, Berat.

Nuk mund të nderohemi që disa emra të përftuar si ndikime kulturore spontane pas Luftës së Dytë, sidomos në Republikën e Shqipërisë, janë me tepri. Emra futbollistësh, aktorësh mediokër të telenovelave dhe të tjerë. Prania e kudogjendur e tyre nuk dëshmon kulturë.

Për emrat e politizuar të epokës komuniste (Sovjet etj.) nuk ia vlen me u ndalë. Kanë mbetur si mish i huaj.

3.Siç shihet, emrat që tregojnë përkatësinë prej një qyteti ose krahine nuk ndeshen. Nuk njihet ndonjë i quajtur Tetovar, Gjakovar, Durrsak, Ulqinak. Mund të gjesh emra Mirdit, Vlora, por jo emra Mirditor, Vlonjat.

Emri Shkodran duket përjashtim.

Përse?

Në disa këngë të hershme djepi nëna e quan birin "mor shkodrani i nanës-o". Me një kërkim të shpejtë në you-tube, vëren se aty ka mbi njëzet regjistrime të baladës së moçme N'drrasë të vekit, kënduar nga këngëtarë prej viseve të ndryshme shqiptare. Në njëmbëdhjetë nga shtatëmbëdhjetë degëzime që dëgjoi autori i këtij shenimi, vajza i drejtohet të dashurit të vdekur me fjalët shkodran, shkodranli ose djalë shkodran. Në të tjerat e quan azgan etj. Edhe sot në Shestan, por jo vetëm aty, nënat e përkëdhelin djalin duke i thënë të ka nana shkodran.

Bie në sy, epiteti shkodran, edhe si emër, është përdorur si sinonim i njeriut me vlera të spikatura: fisnik, i besës e trim, zotni i njëmendtë.

Kjo e ka bazën te statusi i veçantë që ka pasur Shkodra gjatë tërë historisë. Kryeqyteti i parë i racës shqiptare, kryeqendër e mbretëreshës Teutë, themeluar prej ilirëve, metropol i qytetërimit shqiptar dhe ballkanik. E njohur për lëvizjet e fuqishme me nerv kombëtar; pastaj shkollat e para në gjuhën shqipe në vitet 1600 (në rrethinë); shtypshkronja; shoqëritë e shkronjave shqip Bashkimi, Agimi me abece (alfabet) latin, me botimet e fjalorëve e librave të ndryshëm shqip; artistë të pazakontë si Marubët, Idromeno etj. Më pas kinemaja, bandat muzikore, teatri, sporti, shkrimtarë si Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni.

Përcaktimi i vlerave të njeriut sipas përkatësisë së një qyteti ka qenë në mendësinë popullore. Për një grua të bukur, të mençme, aristokrate thuhej është si stambolleshë. Sepse Stambolli ishte metropol gjigand, kryeqytet perandorak. E njëjta logjikë brenda vendit vlente për Shkodrën. Me i thanë dikujt shkodran, ishte përafërsisht si me thanë sot parizian ose njujorkez, në kuptimin e edukimit, kulturës.

Për qytetet e krahinat që mbetën jashtë shtetit shqiptar, për shkak të kufijve arbitrarë të Konferencës së Londrës 1913, qytetet e Shqipërisë u rivlerësuan në një sfond atdhetarie pa kompromis. Epitete si shkodran u fuqizuan me ngarkesa të reja.

Gostivari sigurisht nuk bënte përjashtim.