Fadil LepajaNga Fadil LEPAJA


Mendoni se keni plotësisht të drejtë të jeni i shëndetshëm? Nuk keni! Por edhe nëse mendoni se jeni, nuk jeni! Jo derisa njëri nga laboratorët e shumtë të ju jap një certifikatë. Jo derisa të trajtoheni në njërin nga dhjetëra  super, mega, hiper klinikat private, të cilat ju lëshojnë një dokument se jeni shëndosh e mirë si molla, dhe merrni garanci se produkti që sapo keni blerë, pra shëndeti, do të funksionojë derisa të dilni nga dera e klinikës.


Por, edhe nëse nuk funksionon, vdekja është njerëzore. Pa pare do të thoshim, po të mos kishte edhe ajo shpenzimet e veta. Sidoqoftë , jeta dhe shëndeti kushtojnë më shtrenjtë, kështu që edhe kompanitë funerale nuk duhet  neglizhuar. Kanë pakot e veta edhe ato.


Përderisa ka dyshime publike për konspiracion në mes të Qeverisë, klinikave private, kompanive të sigurimeve, nuk mund të përjashtohet as ideja se shëndetësia publike ka konspiracion me kompanitë që merren me shërbime funerale. Ky bashkëpunim, duket me interes reciprok, edhe pse shumat nga përfitimet, mund të jenë shumë më pak të vogla. Pra, me  shëndetësinë tonë publike/private, asgjë nuk është e sigurt. Por…


Ska por! Ska dyshime! U zgjova sot, herët, nën zërat entuziast, të një reklame, të mrekullueshme të Spitalit Amerikan të Kosovës, apo ishte ndonjë tjetër, sepse në ngutjen e përditshme edhe mund të e kem ngatërruar, edhe pse në Kosovë vështirë se mund të ngatërrohet me tjerat diçka që në vet emrin e institucionit specifikohet si amerikane. Kështu, nga vet specifikimi se kemi të bëjmë me një institucion  amerikan dhe jo kosovar, po kuptohet krejt,  edhe ju mund të kuptoni dallimin në kualitet. Aty thjesht nuk mund të vdesësh. Nëse je vënë për atë udhë, të kthejnë në QKUK!


Shto gjithë kësaj faktin se të njëjtit njerëz të cilët punojnë në QKUK, për paga të mjera, punojnë edhe aty, por në shëndetësinë publike askush nuk ka besim, madje as vetë institucionet që janë përgjegjëse dhe as zyrtarët e tyre. Shërohet ministri i shëndetësisë në QKUK, apo në shtëpi të shëndetit? Kur sëmuret ndonjë zyrtarë i lartë, në shëndetësinë publike shërohet? Madje edhe nga një grip? Në fakt, kur është gripi në pyetje, as klinikat private nuk janë me nivel. Duhet shkuar për kurim, në Evropë! Klinikat tona merren me gjëra të mëdha dhe të kushtueshme!


Edhe pse në një oborr me shtëpinë publike të shëndetit, ku shëndeti publik prostituohet mjerueshëm, me kushte kriminale, radhë të gjata pritjeje, ku vështirë se hyn në radhë pa një ryshfet të vogël,  apo të madh, sipas rastit, në anën private shkëlqen oferta, e cila është edhe nuk është për ju. Formësimi i produkteve, në formë pakosh shëndeti, me çmime jashtëzakonisht të volitshme, tërheq të shkosh, patjetër, për të kursyer, edhe nëse nuk ke fare ankesa shëndetësore, apo nga ato që përfshihen në pako. E kujt i bënë, nëse ke sigurim, do të thonë? I thonë 30% më lirë! Ke hesap!


Shëndeti, që ta kuptoni ju, më mirë, është një gjendje natyrore e njeriut. Apo nuk është? Duke pasur parasysh ndotjen e ambientit, kualitetin e produkteve ushqimore, dhe barnave, edhe  shëndeti i të porsalindurve është luks. Nëse mund të i besojmë enciklopedive, fjalorëve, atëherë mund të thuhet se Shëndeti është një gjendje e të qenit mirë dhe e lirë nga sëmundjet. (Oxford Students Dictionary, 1991), ose si është definuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara :  shëndeti është një gjendje e mirëqenies komplete fizike , mendore, sociale, dhe jo thjesht mungesa e sëmundjes ose e dobësisë.


Kështu, nëse shohim definicionet, dhe mund të mashtrohemi se shëndeti qenka gjendje me interes për shoqërinë, jo vetëm në përmasa nacionale por edhe planetare, por vështirë se mund të thuhet se  nga shëndeti dikush ka interes! Vetëm, nga sëmundja përfitojnë të gjithë. Industria farmaceutike, ngulfat me placebo, ose me ilaçe që sëmurin më tepër se sa që të shërojnë, duke të futur kështu në vorbullën e varësisë  nga kemikate të ndryshme. Edhe mjekët ( me përjashtimet për respekt) kanë kompanitë e preferuara dhe nuk të shkruajnë barnat e kompanisë rivale…! Këtu fillon  biznesi.


Në fakt, biznesi i shëndetit fillon atëherë kur ti nuk ndihesh mirë. Pak ka arsye të mos ndihesh mirë? Cilin televizion sheh? Cilin portal e lexon? Të gjithë janë në konspiracion me biznesin e shëndetit, dhe të sëmurin sapo hapë ndonjë medium. Politika është instrumenti më i besueshëm në duart e industrisë së shëndetit. Asgjë nuk të sëmurë më shumë se politika. Pastaj debatet! Ka dyshime, se klinikat e zemrës, financojnë drejtpërdrejtë debutuesit më të zhurmshëm dhe më sharës në vend.


Ata që, sipas nevojës së industrisë, edhe politikës shëndetësore, po të jetë nevoja, as me veten e tyre nuk pajtohen, edhe vetveten e kapin për fyti. Kur ata debatojnë për çështje të kombit, turmat ua mësyjnë klinikave të zemrës, gjithsesi atyre private, se kur është zemra në pyetje, radha nuk është kulturë. Laboratorët, klinikat, kompanitë e sigurimeve, të gjithë fitojnë kur ti nuk ndihesh mirë. Askush nuk ka dobi nga një i shëndoshë.


Pra, mos e lëshoni rastin. Shikoni ofertat fantastike të klinikave private, që ngjajnë më shumë me prospekte turistike. Por kujdes, mos harxhoni kot. Për shembull, nëse je politikan, mos i shih fare pakot e zemrës, sepse në politikën tonë, zemra nuk është e nevojshme. Nëse je keq nga sytë, dhe nuk sheh mirë, mos harxho para. Nuk e ke nga sytë. Është nga politika e korruptuar që e ka shëmtuar këtë vend…


Lëre, lëre! Mos u kënaqni me idenë se jeni i shëndetshëm, derisa keni vendosur të jetoni këtu, edhe përkundër të gjitha argumenteve se ndoshta nuk ja vlen. Edhe politika e izolimit, e udhëhequr nga të gjitha qeveritë e deritashme, këtu e ka qëllimin: të mos lejojnë të ikësh jashtë dhe të ndihesh sërish mirë, i shëndetshëm. Sepse, kur ti je i shëndetshëm, askush nuk ka dobi. Vetëm kur ti ndihesh keq, aty fillon biznesi…


18 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)