Nga Ilir ÇUMANI


Kryeministrit të vendit tim i sugjeroj diçka që është më e rëndësishme se shqetësimi që ai ka në lidhje me shpifjen….


Është një betejë gati e pamundur përpjekja që ai bën për të dekriminalizuar këtë fenomen përmes paketës antishpifje.


I gjithë burimi kryesor i të keqes së madhe që e ka sëkëlldisë keqas zotërinë e tij dhe e ka kontaminuar si epidemi mbarë shoqërinë shqiptare me sindromin e shpifjes, (veçanërisht gjatë qeverisjes triumfatore përmes fasadës në këtë epokë të ndritur të rilindjes), është ky personazh.


E njihni zoti kryeministër…!? Mban një emër të madh historik dhe të lavdishëm. Jam i bindur që do ju mallëngjej, do tju ngjall shumë kujtime dhe nostalgji që lidhen me fëmijërinë dhe rininë tuaj të herëshme…


Ky personazh, mjaft i njohur nga të gjithë të paudhët që i kanë prish terezinë lartëgjatësisë tuaj, quhet ENVER. Të gjithë e njohin me nofkën Ver Llapa.


Besoj se, me këtë nofkë e ke thërritur edhe ti në fëmijërinë dhe adoleshencën tënde. Dikur, së bashku keni qenë banorë në një lagje, atje tek 21 Dhjetori.


Ti atëherë, ishe një fëmijë tekanjoz, impulsiv dhe me temperament. Më pas, një adoleshent plangprishës, i mikluar për faktin se ishe bir i një familje me emër, djalë i një deputeti të nomenklaturës.


Qysh atëherë dhe deri më sot, ju keni pësuar një metamorfozë të paimagjinueshme. Keni bërë në mënyrë të rrufeshme goxha rrugë kilometrike në karrierën tuaj për të kapur majat e pushtetit.


Sot, jeni kryeministër i vendit, ndërsa lagjari yt i dikurshëm, Ver Llapa mbeti po ai, gaztori i pafajshëm varfanjak, shakatari i rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit. I vetmi mjet për mbijetesë me anë të së cilës siguron qindarkat nga “puna” si gaztor rruge, ka mbetur llapa e tij, që është kthyer në legjendë urbane prej dekadash, qysh nga koha e komunizmit.


Gojët e liga thonë se, lënda e parë me të cilën punon sot industria e kazanit mediatik dhe e kazanit politik, sigurohet nga llapa e gojëpërdalit Ver Lapa, ish lagjari yt i dikurshëm.


Me sa duket, ky paska qenë shkaktari kryesor i gjithë asaj katrahure thashethemnajash që të ka sëkëlldisur kaq shumë sa të ka prishur edhe gjumin e natës.


Tashmë si kryeministër, ju keni në dorë edhe gurin, edhe arën. Kapeni, lidheni, bëjeni synet llapën e tij të “rrezikshme” prej magjistari.


Keni për të parë se vetëm kështu do mund të bëni synet të gjitha gojët e liga që xhelozohen nga ylli yt i ndritshëm dhe i sukseshëm…. Ke për të parë se edhe ti, edhe PPP – të e qeverisjes tënde, pas kësaj do të bini në qetësi.


Kështu, do çelet një epokë e re dhe e ndritur: epoka e Paqes, e Begatisë, ku çfarë thotë Partia do t bëj Populli; çfarë do sërish Partia, populli nuk do ti kursej asgjë asaj….


Kryeministri, me të drejtë thotë se, shpifja është një fenomen që Gjermania, Franca, Italia, etj, e konsiderojnë si një vepër që penalizon autorin e saj.


Por, nuk na thotë se këto vënde me demokraci solide, kanë dhe zbatojnë një standard të barabartë para ligjit për të gjithë shtetasit e këtyre vendeve; si për qytetarin e thjeshtë, ashtu edhe për kryministrin, deputetin, ministrin, këdo që shpërdoron pushtetin.


Por, a mundet të na thotë kryeministri ynë i nderuar se, kur do të gjej zbatim në vendin tonë ky standard…!?


Në parim, jam kundra atyre që shpifin. Por, në bindjen time të brendëshme, nuk është ky shqetësimi real i kryeministrit.


Shpifja, ka qenë dhe është një produkt i luftës së pandershme e të paprinciptë i një klase politike të pamaturuar, i të gjithë spektrit politik shqiptar në këtë periudhë të tranzicionit që ka qenë i verbuar vetëm për pushtet.


A nuk kanë bërë të njëjtën gjë si ata që ishin dje në opozitë dhe sot janë në pushtet, ashtu edhe ata që dje ishin në pushtet dhe sot janë në opozitë…!?


Mendoj se, ligjet janë të mjaftueshme dhe të qarta për kundravajtësit që shpifin. Por, kjo nismë, e gjithë kjo përpjekje e kryeministrit, synon tjetër gjë: INTIMIDIMIN dhe GOJEMBYLLJEN, shuarjen e frymës së kriticizmit ndaj fenomeneve abuzive me pushtetin dhe korrupsionin administrativ.


E gjitha kjo, vjen në kundërshtim me parimet bazë të Lirisë së shprehjes dhe mendimit, me standardet e një demokracie të pastër dhe funksionale.


23 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)