ELIS KUÇI


Elis KuciBërja publike e videos ku shfaqet ish-kryetari i Bashkisë Dibër (një politikan provincial, tipik nga ata që ka prodhuar tranzicioni) me benevrekë të grisura, nxiti moralistët të pështynin me neveri këtë shfaqje skandaloze. Njëkohësisht video nxori në dritë edhe fenomenin e Shukrizmit. Si fillim u shukrizua dhe u përçmua si individ, pastaj thashethemet përfshinë gruan e tij, e cila si amvisë nuk ishte kujdesur për të brendshmet e bashkëshortit. Fenomeni i Shukrizimit nuk përmendi një realitet të dhimbshëm, pse një vajzë e re ndërmerr një hap të tillë që do ta përndjekë tërë jetën. Vlen të theksohet se akti dhe guximi i vajzës (nuk ka fare rëndësi arsyeja pse vendosi ta filmonte) duhen përshëndetur. Vajza emri i së cilës nuk duhej bërë publik, ka arritur një fitore të madhe, tashmë çdo politikan qendror apo provincial do mendohet dy herë para se të kërkojë favore seksuale për një vend pune. Shukri mavria është pjesë periferike e politikës që nuk i prish punë askujt, prandaj u sakrifikua, për të larguar vëmendjen nga hallet e përditshme të qytetarëve. I pamësuar me presion mediatik, Shukriu nxitoi të thoshte që vetë ishte engjëll, se çdo gjë kundër tij ishte një skenar politik. Në këtë pikë nuk fajësohet se në historinë e tranzicionit, çdo njeri që gozhdohet me shpatulla pas murit, alibinë kryesore ka motivin politik, a thua se Shukriu ishte dielli i politikës, kurse të tjerët rrotulloheshin rreth tij.


 


Maniak apo dështak


Shfaqja e asaj videoje e etiketoi Shukriun pervers, maniak, qejfli e një sërë epitetesh të këtij lloji. Në fakt, Shukriu ska asnjë nga këto etiketime, ai thjesht është një njeri i dështuar me femrat, këtë e konfirmon edhe biseda me vajzën që edhe historitë e mëparshme rozë të tij i ka me shkëmbim benefitesh. Këtë mund ta vërtetojnë më mirë psikologët (që këtu te ne rrallë gjen profesionistë) pasi Shukriu për një pjeshkë të re, ishte gati të bënte çdo veprim ligjor dhe antiligjor, që në rrethana të tjera nuk do ta bënte as për fëmijët e tij. E kam të vështirë ta besoj që Shukriu, priste me një telefonatë dhe i gjente punë një qytetari tjetër, që nuk kishte pjeshkë për të shuar etjen seksuale atij. Por gjëja më interesante gjatë këtyre ditëve ka qenë reagimi i shoqërisë tonë perfekte dhe tepër të moralshme. Sa Shukri ka në qarkullim, shumë, atë e gjen me emra të ndryshëm në çdo dikaster, kompani private, banka dhe media, me një ndryshim, që Shukriu me një koeficient inteligjence të ulët nuk e kuptoi që e filmuan. Videoja i dha mundësi të ndershmëve që të hiqeshin si engjëj, e të na mpijnë me idenë se më mirë të vjedhësh duke shpërdoruar detyrën, sesa të përfitosh një pjeshkë prej saj. Sa raste ka që filmohen hajdutë e të korruptuar, çndodh, shoqëria është bujare, madje i qahet edhe halli me fjali të tilla, gjynah djalë/vajzë, burrë/grua e/i mirë. Këtë temë e solla për analogji krahasimore, pasi në vetvete mbart një duzinë me problematika. Për mos ti ikur videos së Shukriut, një detaj tjetër që doja të ndaja me lexuesin është gjinia e abuzuesit.


 


Sikur Shukriu të ishte Shukrie (pra femër)


Larg qoftë të ndodhte që në vend të Shukriut, një femër kryetare Bashkie të merrte në punë djem të rinj, vetëm pasi të kishte përfituar favore seksuale, çfarë do kishim bërë. Njëlloj si Mari Magdalena, ne, njerëzit të moralit femrën tradhtare do e konsideronim të përdalë. Madje, do dilnin njerëzit e fshatit të saj e do ta bënin hasha. Po burri, në mos do e qëllonte me plumb ballit, do ta përgojonte, fëmijët nuk do ti flisnin me gojë, vajzat e familjes së saj do përgojoheshin. Po çfarë i ndodhi Shukriut? Burrat e fisit të tij krenohen me të si seks-simbol. Gruaja e tij do deklaronte në një intervistë se do ti qëndronte pranë dhe familja e saj është e bashkuar. Pas kësaj deklarate, ajo shihet nga e gjithë Dibra si grua model, pasi burrit i lejohet të bëjë ndonjë budallallëk. Pra, ishte i pirë… hajde se një herë e bën, burrit i falet. Ndërsa po të jetë femër nëse tradhton, është e përdalë. Falë këtij mentaliteti, Shukriu sot ka një familje dhe nuk është braktisur nga askush.