Nga Artan Xh. Duka


Me vendimin e 8 Qershorit të Kolegjit Zgjedhor, gjasat për normalitet demokratik u zbehën më shumë. Tullat kryesore të murit demokratik prona legale dhe vota e lirë, të vëna shtrëmbër sa më ska, e bëjnë ngrehinën pseudodemokratike që lartësohet me nxitim, ndërtim pa leje amatoresk, kurdoherë në rrezik shëmbjeje. Pas 50 vjet monizëm dhe 20 vjet tranzicion, shoqëria shqiptare nuk e ka më luksin e anarkisë politike dhe ekonomike që privon normalitetin demokratik për një vënd të NATO, aspirant në BE.


 


Tapia e zhvlerësuar e votës


Pas anormalitetit të pronës legale me pronarët historikë dhe tapitë shpërfillur dhe abuzuar në sistem, në 8 maj ishte tapia e votës që u zhvlerësua në ekstrem duke mos qënë më çelsi magjik që rregullon përfaqësueshmërinë, hierarkinë dhe piramidën e përgjegjësisë e përgjegjshmërisë politike dhe administrative si dhe kontrollin nga qytetari për qytetarin dhe perspektivën demokratike.


Vota është nëpërkëmbur dhe më parë por jo kaq brutalisht e hapur duke përzjerë e kompromentuar rëndë vetë elitën e drejtësisë. Por, ndoshta më mirë që ndodhi kështu ndryshe do të kishte ende iluzione mes nesh dhe miqve perëndimorë se shteti ligjor në Shqipëri funksionon dhe me kontributin e drejtësisë, demokracia vetrregullohet.


 


Abuzimi që pjell abuzimin


Abuzimi në demokraci me vullnetin e interesat e shoqërisë nuk përbën lajm. Mosndëshkimi po. Sidomos kur abuzimi është flagrant dhe drejtësia nuk ndëshkon por legalizon në bashkëfajësi. U nis kjo alkimi elektorale në emër të moralit të votës dhe u bitis legalizimi i paligjshmërisë me klishenë e proçedurës duke dëshmuar jo vetëm mungesën e sinqeritetit të pushtetit ndaj vullnetit të zgjedhësit por dhe kapjen integrale të shtetit sikurse u ilustrua me bllofet e deklaratave e sfidave për pranim apriori të vendimeve të Kolegjit.


Për shkak të abuzimit të shumpërfolur, pushteti nuk e ka më luksin e drejtësisë të pavarur duke privuar rrjedhimisht shoqërinë nga progresi demokratik. Krahasimet patetike me Bush Al Gore dhe marketingu joetik politik i bartur prej analistëve dhe medias pro-qeveritare (TVSH përfshirë), stonojnë jo vetëm nga vullnetet politike (me mazhorancën të rikapur gafil në abuzimin me votën) por dhe shteti ligjor dhe shënjtëria e gjyqësorit që në Shqipëri mbetet iluzion.


Në analogji me qasjen smithiane të pronës private dhe lirisë së tregut, vetëm vota e lirë indukton në shoqëri tharmin vetrregullues demokratik që garanton drejtësi dhe shpresë për të ardhmen. Me votën e përdhosur, institucionet nuk garantohen dhe paragjykimi shoqëron duke e bërë alarmante statusin e demokracisë kur institucionet që presupozohen të mbrojnë moralin e votës, konfirmojnë dhe legalizojmë padrejtësinë e groposjes së saj.


Kolegjistët duhen mirëkuptuar. Institucioni e konteksti i tyre është produkt i një realiteti politik të ndërtuar mbi votën e abuzuar. Vendimi i Kolegjit nuk është shkaku i krizës demokratike por pasoja e pashmangshme e saj. Ndonse vendimi legal duhet ekzekutuar, opozita është në misionin e saj ta ankimojë dhe diskretitojë atë për të ekspozuar rrënjët e deformimit dhe përgjegjësinë eventuale të protagonistëve në të që në atë pozicion janë përzgjedhur jo thjesht të flasin në emër të të gjithëve, por të mendojnë e vendosin për të ardhmen e perspektivën e të gjithëve duke mos lejuar që abuzimi flagrant të shndërrohet në rutinë.


 


Qeveri e mbetur në derë


Ndaj votës kjo mazhorancë nuk abuzon dy herë njëlloj herë i hap kutitë, herë i mbyll ato, herë flet për moral të votës, herë për proçedurë, duke e bërë të pashpresë aksionin opozitar në ruajtjen e votës, pavarësisht Kodit Zgjedhor, përveçse në rastin hipotetik, surreal e denigrues për një vënd të pavarur (në pengmarrjen e vetvetes) kur administrimin e votimit ta merrnin përsipër të huajt(!) apo gjykatësve të Kolegjit tu ofrohej një nënshtetësi anglo-saksone paraprakisht(!).


Abuzimi elektoral i 2009, nuk u pasua nga reflektimi i pushtetit. Me alkiminë e 8 majit dhe çertifikatën e pastërtisë të lëshuar nga institucione në vetvete të pabesueshme, nuk ka më dilemë se me këtë mazhorancë vota nuk mund të jetë e imunizuar prej abuzimit. Nëse 2009 ishte një arsye për zgjedhje të parakohshme, 2011 është një më shumë. Populli e meriton qeverisjen që ka, për sa kohë ai e ka votuar atë. Kur rezultatet janë me fotofinish dhe transparenca refuzohet apo deformohet në emër të alibive legale dhe proçeduriale, qeveria veçse i mbetet në derë.


 


S.O.S. vota


Kriza e votës pjell veçse monstra pseudemokratik. Përtej diagnozës, dilema mbetet terapia. Ndërsa ndjek rekurset ligjore, aksoni opozitar përtej (a) diskretitimit në parlament të abuzivizmit, (b) sensibilizimit të opinionit vëndas rreth SOS demokratik, (c) prokurorisë rreth përgjegjësive të 21 janarit e akuzave deri të imunizuara me alibi V.K.M., (d) lobimit të miqve anglo-saksonë dhe partnerëve të huaj, përballë një mazhorance që e ka abuzimin zakon me rrethin vicioz të çertifikimit të tij përmes kapjes të shtetit, (e) protesta efektive paqësore, konsistente dhe qytetare mbetet detyrim imperativ që ndërsa emancipon shoqërinë, ngre lart asetin politik e demokratik të shoqërisë në sytë e perëndimit.


Përballë një mazhorance refraktare, rrotull një kakofonie interesash, reagimi i opozitës mbetet krijimi i Aleancës për Votën ku të barabartë mes të barabartëve të jenë si pronari pa pronë apo i ardhuri pa shpresë, i moshuari konservator apo i riu liberal, punëtori pa punë apo biznesmeni që mbijeton, filli i përbashkët i të cilëve mbetet vota e lirë dhe konfirmimi i saj si pararendësja e normalitetit demokratik ku të fituar janë të gjithë. Shoqëria nuk e ka luksin e statukuosë së abuzimit me votën me rrjedhojë jo vetëm nëpërkëmbjen e demokracisë por dhe cënimin e interesave strategjike kombëtarë si marrëveshja e ujrave, konçesionet e dyshimta apo rregjistrimi i sforcuar etnik i popullsisë. Interesi kombëtar mbetet vota e lirë dhe investimi për të përmes zgjedhjeve të parakohëshme. Të tjerat vijnë vetvetiu.