Sot është 9 mars...! Kjo datë, kjo ditë, nuk figuron në asnjë kalendar as si ditë e bardhë dhe as si ditë e zezë. Është lënë në kornizën e një dite të zakonshme, si të gjitha ditët e tjera të rëndomta të kalendarit të jetës. Kështu e kanë lënë politika dhe politikanët, publicistika dhe publicistët, familjet dhe familjarët. Askush prej tyre, këto trembëdhjetë vjet, që nga 9 marsi i vitit 1996, nuk është kujtuar dhe nuk kujtohet për të hedhur pak dritë për të çarë pak errësirën e natës së madhe që mbështolli ajo ditë. Një natë që të vë gishtat në sy, nën ujë e mbi ujë...



Natën e 9 marsit të vitit 1996, e premte në të shtunë, tridhjetë dibranë u tretën si kripa në ujë në ngushticën detare të Otrantos në udhëtimin klandestin drejt Italisë...



As mëngjesin e së shtunës, as të dielën, as të hënën, as të martën, as të mërkurën...as edhe një lajm, as edhe një e shkruar në gazetat e kohës, as edhe një zë në të vetmin televizion e radio të vendit.



Një fonogram nga Vlora, në adresë të Komisariatit të Policisë të Peshkopisë, përcillte lajmin e kobshëm se një djalë i ri nga Kllobçishti i Maqellarës, Sulejman Qoku, ishte gjetur në brigjet e Italisë, i mbytur... Ishte ky "zë në kasafortë", që tronditi jo vetëm familjen Qoku, por edhe dhjetëra të tjera, që vërshuan në zyrat e PTT në Peshkopi e Maqellarë, me lot në sy, në përgjigje të pyetjes: "Ku janë djemtë tanë?"... Më 14 mars 1996, e enjte, në një cep në faqen e parë të gazetës "ZP", u botua shkrimi: "Viktima të eksodit" - Një i mbytur në det dhe 30 të tjerë të humbur. Të gjithë nga Maqellara e Dibrës. Më vonë, dy lajme të tjera. Më pas asnjë lajm, asnjë zë, as në gazeta, as në radiotelevizion, as në Kuvend, as nga "e majta" në opozitë, as nga "e djathta" në pushtet, asnjë veprim demokratik - protesta të familjarëve, greva urie. Shteti dhe partitë politike ishin në ethet e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Tragjedia dibrane e 9 marsit 1996 ishte hedhur në koshin e harresës...



Koha kalon. Deti Jon përsëri ngre dallgë. Vjen 30 marsi i vitit 1997. Vjen tragjedia e madhe ku "Kateri i Radës" goditet nga "Sibila" dhe Otrantoja merr në gjirin e vet të errët 70 e ca jetë njerëzish, burra e gra, fëmijë që ende nuk kishin hedhur hapin e parë mbi tokë... Kohët kishin ndryshuar. Zërat në kërkim të njerëzve formuan dallgë të mëdha, dallgë që kurrë, as atëherë dhe as sot e kësaj dite, nuk janë qetësuar... Më 30 mars, çdo vit, në gjirin e Vlorës dhe në det të hapur, nëna e nuse shamizeza u hedhin valëve lule të pranverës, të asaj pranvere që ata e lan pas në kërkim të një pranvere në vende të tjera.



... 9 janar 2004. Përsëri Otrantoja merr jetë njerëzish, kësaj radhe 28 vetë, 27 prej të cilëve shkodranë. Një zë çan errësirën, i ikën natës, vjen përmes eterit e nga "Top Channel" thërret për ndihmë. Ishte zë njeriu që i drejtohej njeriut: Po mbytemi!



Por kthehemi tek "Tragjedia dibrane"...



Më 15 janar 2004, ministri i atëhershëm i Rendit, duke bërë një përmbledhje të viktimave që humbën në valët e detit për herë të parë, deklaroi publikisht në Kuvend: "Do të isha i padrejtë të mos përmendja edhe tragjedinë e 30 dibranëve më 9 mars 1996 që u mbytën; askush nuk tentoi t‘i shpëtonte dhe mizorisht fakti iu fsheh publikut dhe familjeve të tyre!"



Më 29 mars 2005 (sipas shtypit) ministri në fjalë bëri një vizitë në familjen e Abdulla Hakores në Brezhdan, i cili humbi djalin në këtë ngjarje tragjike. Ndërsa u ka dhënë familjarëve lajmin e hidhur, ka qenë i pari që i ka ngushëlluar sipas zakoneve të vendit.



...Kaq ishte hapësira informative për djemtë e Dibrës. Shteti, pas 9 vjetësh, i deklaroi të gjithë të mbytur. Katër prej tyre nuk u vë as emër dhe as mbiemër. Ata janë varrosur në tokën italiane, pa identitet. Për të tjerët, ata që i mori deti, nuk flitet fare, përveç një personi i cili edhe në vitin 2008 deklaroi se ata "mbahen peng" në një burg të sigurisë së lartë në Korfuz të Greqisë, duke i dhënë ngjarjes ngjyrë mitologjike.



Tragjedia dibrane ndodhi në prag të zgjedhjeve të 26 majit 1996, ndaj të djathtëve në pushtet nuk u interesonte publikimi i ngjarjes. "Ata janë mbytur, por ne nuk na intereson publikimi i ngjarjes", do të deklaronte "shoqërisht" një personalitet i lartë i shtetit atëkohë.



Më 6 mars, mbi gjolin artificial të Farkës, në rrethinat e Tiranës u hodhën lule në kujtim të atyre që u mbytën pa asnjë shkak një vit më parë. Fajin ia hodhën varkës...



Sot është 9 mars 2009. Jam larg Dibrës që të ndalesha pak tek ura e Topojanit e t‘i jepja Drinit një tufë "kukrekësh - Ditë Vere" për t‘ia përcjellë detit. Jam larg Vlorës që, bashkë me shamizezat dibrane, të hidhja edhe unë një karafil mbi dallgët e detit. Jam larg Atdheut, por pranë detit, një deti të huaj. Po këpus nga zerdelia e kopshtit ku punoj një degë me lule të sapoçelura. Po e hedh në detin e Pireut, duke iu lutur dallgës t‘i çojë në detin e shpirtit të "Djemve të Dibrës".



Abdurahim Ashiku



Athinë, 9 mars 2009