Frano Kulli




Frederik Rreshpja, një ndër poetët më të mirë të Shqipërisë, ose liriku më i fundit shqiptar pas Lasgush Pogradecit, siç dhe është vlerësuar, ka patur një vdekje-fikje të vrazhdë. Por edhe jeta e tij, jeta tokësore, thuajse e gjitha e mjerë në një kontrast të hatashëm më poezinë e tij hyjnore. Gjithnjë në kufirin e ndërmjetëm  të lirisë dhe robërisë, krejt i lirë në qenien e tij, ani pse fizikisht i privuar dhunshëm prej saj. Thuajse se gjysmën e viteve të jetës i kaloi në burg, jeta tjetër si prej asketi e sakaq poezia e tij është  refleks i një jete hyjnore. Kam pasur rastin dhe fatin ta njoh njëherësh kur edhe kam njohur poezinë e tij, në vitin e largët 1973, atëherë kur nëpër duar kisha librin e tij të dytë, diçka si në formën e një blloku shënimesh me titullin “Në këtë qytet”… Në fillimvitet nëntëdhjetë, tashmë i lirë, por hiç në ekstazë, ai përsëri shfaqej ashtu siç ishte, “kontrapedal”, siç qe gatuar. Në vitin 1994 a ‘95, kur nisën të ravijëzohen, të përfliten e të bien në sy dukuritë e korrupsionit ndër zyrtarët demokratë të shtetit kam dëgjuar edhe një batutë brilante të tij, që edhe sot e kam të kthjelltë në mendje: “Asht bâ me të ardhë ma mirë me të thanë hajn xhepash se sa ministër”…




E solla në kujtesë Frederikun e ndjerë edhe si një homazh për të, për veprën e tij të përkryer dhe në respekt të vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha deri në zgript  të mbijetesës, gjithashtu. Kurse batutën e tij, e solla si për të kujtuar një cak në kohë, ku sipas meje fillon një kthesë për keq në raportin e zyrtarëve të shtetit të ri demokratik, me aspiratën e re të shtetasve shqiptarë, të sapodalë nga qerthulli i trishtë, i dhunshëm i regjimit diktatorial. Asokohe filluan të përfliten ministrat e rinj për abuzim me pushtetin. Dhe kjo fillesë nuk është ndalur më qysh prej atëherë. Është folur e është folur aq shumë, këtu në Shqipërinë tonë, për këtë dukuri, që natyrisht nuk është vetëm shqiptare, ajo ka zënë fill përnjëherë me zanafillën e botës, aq sa është zhvlerësuar kaq shumë fjala, sidomos ajo për korrupsionin e nuk vlen më një “grosh”. Nuk vlen më sepse pas lumit kurrë të ndalshëm të fjalëve-akuza këtu nuk ka patur asnjë efekt drejtësie, askush nga të përfolurit mëkatarë nuk është ndëshkuar. Rrallë e tek ndonjë peshk i vogël. Derisa dukuria është klasifikuar dhe ka krijuar arketipin e vet Pandershmëria. Në rrjedhën e shtatëmbëdhjetë-tetëmbëdhjetë viteve ka ngjarë  gjithnjë kështu tek ne dhe kjo, unë mendoj se është e pa kund ngjashme, së paku këtu rreth nesh, në Europën tonë. Dhe ndodh kështu përditë, sot e gjithë ditën. Thuhen gjithandej fjalë, fjalë, fjalë, që tashmë nuk ngjisin askund. Besimi në të mirën thuajse është shuar, kategoritë morale kanë ndërruar dramatikisht kah; quhesh i zoti nëse je i përdhunshëm, quhesh i zgjuar nëse di ta dredhësh me të pushtetshmin e radhës, quhesh i pasur nëse pasurinë e kë vënë pa punë, quhesh i ditur nëse flet shumë a se ke mundur të pushtosh hapësirën publike mediatike, gazeta apo ekrane qofshin, pavarësisht nga kumti yt ligjërimor. Është stërthënë, se opinionbërësit që kanë tagrin të shfaqen… në këtë vend, janë diç më shumë se gishtat e njërës dorë. Kurse kontrasti i produktit të tyre me atë të medies sociale është, gjithashtu dramatik, ku e ku larg e të pa pikëtakueshëm. Por nuk ka qenë gjithherë e gjithmonë kështu.




E çeka edhe më sipër, korrupsioni (siç quhet tani në kohët moderne), pra lakmia për të përfituar nga pushteti ,të cilin të tjerët ta delegojnë për ta vënë në shërbim të tyre është i njëhershëm me zanafillën e shoqërisë njerëzore, që kur ajo arriti në stadin që të administrohej nga prijës të zgjedhur. Por, njëherësh me të, gjithashtu ka lindur edhe e drejta e sovranit, pra e atyre që të kanë zgjedhur për të të hetuar e së fundi për të të gjykuar nëse ti , prijësi  i ke zhgënjyer ata. Dhe përpara këtij gjykimi, pastaj s’të ka vlejtur fytyra një lek…kur e ke shkelur. Ne kemi shembuj edhe nga historia e shtetit tonë të ri (101 vjeçar).Njëri prej tyre, në vitin 1932 , Fishta, siç është e njohur bën një polemikë të ashpër me Ministrin e Arsimit të kohës, Hilë Mosi: “Pse pra do të hidhnoheni Ju, kur themi na se shekulli asht prishë për kah morali ?...Ju pezmin Tuej-për në qoftë se asht pezm e jo tjeter gja-duket e shkrehni më ne jo pse kemi shkrue se duel korrupcioni e muer dhenë, por pse kemi thanë, se ky korrupcion bani ripekursionin (pasqyrimin) e vet edhe në Shqipni e se prandej  edhe këtu si gjithkund njeti, s’po ishte vlera e zotësia morale e ditunore timoni i jetës, por rrena, batakçilleku, dredhitë, akraballeku etj., pse me këso fjalësh Ju thoni se akuzojmë kombin, tue cënue në këtë mënyrë nderin e prestigjin kombëtar tonin.”…E më poshtë vijon polemika “Veç çka Zotni Hilë, se nuk domethanë gjithherë se cënohet nderi e prestigji i kombit tue ia përmendë të metët e  fajet që mundet me pasë. Ju do të keni pa se me ç’fuqi Demosteni nder “Filipiket” [ligjëratat e oratorit grek të Lashtësisë,drejtuar kundër Filipit të Maqedonisë, babait të Aleksandrit të Madh]  e Aristofani nder komeditë e veta të pavdekshme ua përmendin Athinasve të metat…tue mos kursye as njerzit ma të përmendun, që deri më sot ka pasë njerzimi si bie fjala Sokratin.E megjithkëtë grekët nuk i mbajshin për pesimistë, disfatistë, mësa mbajnë italianët për orëzi,shpirtzi Dante Aligerin përse ka shkrue: Ahi,serva Italia, di dolore ostello/ Nave senza nocchiere in gran tempesta/ Non donna di provincie, ma bordello. (Hylli i Dritës 1932/12, fq.593-610)




Polemika, zhvilluar 82 vjet më parë, përmendet e citohet edhe sot, në radhë të parë sepse është e pangjashme me debatin intelektual e politik që zhvillohet sot në Shqipëri. Jo vetëm për nga forma e përkryer e etikës publike dhe mjeshtërisë publicistike, por edhe për thelbin e saj, në radhë të parë. Hilë Mosi ishte njëri prej ministrave të kohës (i Arsimit) me një veprimtari 25 vjeçare atdhetare,  intelektual i spikatur, por edhe pjesëmarrës më armë në dorë në kryengritjet e mëdha për liri e pavarësi, në krye të malësorëve, me 1911-ën. Por “Hylli…”, Fishta, opinioni publik, i mishëruar mrekullisht mirë tek “të urtit”si ai, por edhe të tjerë si ai, ata të cilët, shqiptarët i kishin në dritë të syrit, krijonte trandje të madhe tek burokracia shtetërore e kohës, kur mekanizmat e saj shkelnin mbi interesa të shtetasve e të kombit. Sepse atëherë, fjala kishte peshën e fjalës…