/* */













Dash FRASHËRI -  Në verën e këtij viti, Tirana, rekordmenia e Shqipërisë thuajse u shpërbë. Shtatë nga futbollistët e saj më të spikatur, të cilët  e mbyllën sezonin e kaluar 20010-2011 në vendin e pestë, por me fitimin e Kupës së Shqipërisë (për të 14-n herë) u larguan: Andi Lila te PAS Janina në Greqi, Jahmir Hyka të Lucern në Zvicër, Tefik Osmani te Teuta e Durrësit, serbi Ivan Gvozdenoviç te Skënderbeu, kroati Pero Pejiç në Arabinë Saudite, serbi Mlladen Zizoviç u rikthye në shtëpi, ndërkohë që Sabien Lilaj u ble nga Lokomotiva e Zagrebit.

Lilaj (22 vjeç), i formuar te ekipi i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”, Shkëndija, dhe i rritur si futbollist te Tirana (për të cilën luajti tre sezone) dhe fitoi një titull kampion (2008-2009), është zbulimi i ish-trajnerit të bardhebluve, Bllazh Slishkoviç (ish-trajner i Kombëtares së Bonjës). Tashmë ai është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit në kampionatin maksimal kroat, por edhe ka fituar fanellën e ekipit Kombëtar, duke luajtur në ndeshjet zyrtare me Francën dhe Rumaninë, si dhe miqësoren me Maqedoninë. Sabien Lilaj ka një shije të dorës së parë, kur vjen fjala për idhullin e tij. “Ka qenë dhe do të mbetet Zinedin Zidan”, - tha Sabien Lilaj për gazetën “Telegraf”. Lilaj, një mesfushor i gjithanshëm, ka qenë pjesë edhe e Shpresave.

Sabien Lilaj, në verën e këtij viti u transferuat në Kroaci. Çfarë ecurie keni te Lokomotiva e Zagrebit, njëherësh edhe aventura juaj e parë jashtë Shqipërisë?
Besoj se  atë moment të vështirë i ambientimit, tani e kam lënë pas dhe ndihem në formë shumë të mirë. Java që kaloi ishte fantastike. Të shtunën e kaluar fituan 1-0 me Hajdukun e Splitit të vendit të dytë. Luajta në atë ndeshje 90 minuta dhe u vlerësuar si lojtari më i mirë i takimit. Mora jo vetëm komplimentet e trajnerit tim, Ante Çaçiç, por dhe të medias kroate.

Le të kthehemi në fillimet e tua futbollistike. Ku është formuar si futbollist Lilaj?
Familja ime është nga Korça, por unë prej tetë vjetësh banoj në Tiranë. Futbollin e kam nisur qysh 10 vjeç. Jam formuar te ekipi i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”, Shkëndija, ndërsa si futbollist jam rritur te Tirana.

Bardheblutë janë skuadra me më shumë tituj në Shqipëri (24) dhe gjithmonë ka pasur një grup lojtarësh cilësore. Si ndodhi që u bëtë pjesë e Tiranës?
Në fakt, do ta konsideroja edhe çështje fati. Në verën e vitit 2008 u testova te Tirana. Trajneri i porsaardhur, boshnjaku Bllazh Slishkoviç, më pa dhe më pëlqeu. Kështu filloi edhe aventura ime me Tiranën. Isha 18 vjeç. Ishte plotësimi i një ëndrre. Të luash te një klub i madh si Tirana, më i rëndësishmi në Shqipëri është shumë për çdo futbollist shqiptar. Luajta tre sezone të bukura dhe të paharruara.


Fituat titullin qysh në sezonin tuaj të parë (2008-2009). Çfarë përshtypje ruan nga ky trofe?

Absolutisht më të mrekullueshmet. 20 ndeshje nga 33 të mundshmet  në atë
sezon, për një 18-vjeçar janë shumë, dhe për më tepër unë shënova edhe
golin tim të parë në Superligë dhe me fanellën e Tiranës. Me
Slishkoviçin, isha thuajse një titullar i përhershëm, por me largimin e
tij dhe zëvendësimin me një trajner shqiptar, nisën edhe problemet me
aktivizime më të pakta. Gjithsesi, atë sezon kishim një ekip shumë të
mirë, Lila, Dabulla, Osmani, Agolli, Xhafaj, Abraham, Agolli, Muka,
Pezo, Memelli, Muzaka, më të mirët e kampionatit. Ishte diçka fantastike
për mua, pavarësisht se për Tiranën, fitimi i titullit ishte diçka
normale. Ishte mësuar me trofetë.

Dy sezone të tjerë pa tituj kampion për Tiranën, por me një fund
gjithsesi të lumtur, fitimin e Kupës së Shqipërisë, përpara se të
transferoheshit në Kroaci. Ju te Lokomotiva, por dhe Hyka te Lucern në
Zvicër dhe Lila te Janina në Greqi. Një aventurë e re?

Po, për mua ishte vërtet bukur. Fitova dy trofe zyrtarë, kampionatin dhe
Superkupën e Shqipërisë, si dhe dy kupa të tjera, atë “Kujtim Majaci”
dhe “Taçi Oil Cup”, kundër Milanit, në atë fitore të bujshme 2-1 në
“Qemal Stafa”, kundër skuadrës më të famshme në Itali. Kishte ardhur
koha të lëvizja nga kampionati shqiptar dhe, midis ofertave të shumta në
Greqi, Qipro, Turqi, Ukrainë, unë zgjodha atë të Lokomotivës së
Zagrebit në Kroaci, njëherësh edhe më e mira, si përsa i përket
garantimi të një vend titullari, por dhe nga pikëpamja sportive e
financiare. Të njëjtën gjë kanë menduar, sigurisht, edhe Hyka dhe Lila.


Në Kroaci, kanë luajtur shumë lojtarë shqiptarë, si Adrian Aliaj, Artan
Bano, Devi Muka, Redi Jupi, Bledi Shkëmbi, Vioresin Sinani, por tani me
Inter Zapreshiç luan edhe ish-sulmuesi i Tiranës, Arbër Abilialiaj.
Cilat janë vlerësimet e medias kroate për të?

Këtë sezon Arbëri ka shënuar pesë gola, duke qenë dhe golashënuesi më i
mirë i skuadrës së tij, Inter Zapreshiç, duke qenë ndër më të mirët në
kampionatin kroat. Mediat e këtushme e vlerësojnë shumë për atë që po
jep.


Lilaj, jeni thirrur në vazhdimësi në ndeshjet e fundit te Kombëtares,
duke qenë tani edhe pjesë e projektit të ri të Përfaqësueses. Së fundi, u
përcaktua edhe kalendari i ndeshjeve të skuadrës sonë për eliminatoret e
Botërorit “Brazil 2014”. E nisim me Qipron në Tiranë, për të vazhduar
me Zvicrën në transfertë. Cili është mendimi juaj?

Para së gjithash, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares dhe të
debutoj me të, në barazimin 1-1 me Rumaninë. Përsa u përket ndeshjeve
eliminatore të Botërorit, duke u nisur dhe nga kalendari i katër
ndeshjeve të para, fakti që luajmë tri prej tyre në shtëpi do të thotë
shumë. Mendoj se kemi shanset toona. Me pak fat edhe mund të marrim pikë
të plota në shtëpi.

Zagrebi
Kryeqyteti i Kroacisë, Zagrebi (rreth 1.1 milionë banorë) është një metropol shumë i zhurmshëm. “Është një qytet më i madh se Tirana, - thotë Lilaj, - shumë tërheqës. Më pëlqen shumë, po tani në dimër po bën shumë ftohtë”.

Bariç-Kuzhe
Dy ish-trajnerët kroatë të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç (78 vjeç) dhe Josip Kuzhe (59 vjeç) jetojnë në Zagreb. Lilaj: “Mediat sportive kanë respekt për punën e tyre dhe janë të ftuar vazhdimisht për të dhënë opinione”.

Zinedin Zidan
Sabien Lilaj ka një shije të dorës së parë, kur vjen fjala për idhullin e tij. “Ka qenë dhe do të mbetet Zinedin Zidan. Për mua ylli francez është mesfushori më i mirë në botë. Më pëlqente thjeshtësia që ai kishte me topin”.




Më i miri
Të shtunën e kaluar, Lokomotiva fitoi 1-0 me Hajdukun e Splitit të vendit të dytë. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Mateo Poljak me penallti. Mario Maloka i Hajdukut doli me të kuqe. Sabien Lilaj luajti në këtë ndeshje 90 minuta dhe u vlerësuar si lojtari më i mirë i takimit.

8 ndeshje
Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka luajtur këtë sezon 8 ndeshje me Lokomotivën e Zagrebit, ose në total 442 minuta lojë. Ish-mesfushori i Tiranës është aktivizuar pesë herë si titullar dhe 3 herë është futur si zëvendësues. I rëndësishëm është fakti, që Sabieni luan tani rregullisht.

Vendi i 9-të
Lokomotiva e Zagrebit renditet në vendin e 9-të në kampionatin kroate, duke grumbulluar 19 pikë nga 15 ndeshjet e zhvilluara deri tani. Bilanci është 5 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje. Vendi i parë mbahet nga Dinamo e Zagrebit me 40 pikë. 1.NHL, siç quhet Superliga kroate, ka 16 skuadra.

4 trofe
Edhe pse është një futbollist relativisht i ri, Sabien Lilaj numëron katër trofe të ndryshëm në palmarasin e tij të fituar me Tiranën: kampionatin shqiptar në sezonin 2008-2009, Superkupën e Shqipërisë (2009), Kupën “Kujtim Majaci” (2009) si dhe trofeun “Taçi Oil Cup” kundër Milanit (2008).

Abilaliaj
Aktualisht, në Kroaci luan edhe sulmuesi Arbër Abilaliaj, ky i fundit po bën një sezon shumë të mirë, pasi ka shënuar deri tani pesë gola. Te Lokomotiva e Zagrebit ka luajtur disa sezone më parë, edhe Emiljano Vila (i huazuar nga Dinamo e Zagrebit), e që tani është transferuar te PAS Janina.


FUTBOLLISTËT
SHQIPTARË QË KANË
LUAJTUR NË KROACI

Edmond Abazi
(Hajduk i Splitit, HNK Shibenik)

Arbër Abilaliaj
(Inter Zapreshiç,

Adrian Aliaj
(Hajduk i Splitit, NK Solin)

Artan Bano
(NK Paznika)
 
Redi Jupi
(NK Istra Pula, NK Rijeka,

Devi Muka
(Varteks Varazhdin)

Bledi Shkëmbi
(HNK Rijeka, NK Kamen Ingrad)

Vioresin Sinani
(Varteks Varazhdin)

Emiljano Vila
(Dinamo Zagreb, Lokomotiva Zagreb)

Erjon Bogdani
(NK Zagreb)

Ylli Shehu
(HNK Shibenik)

Kliton Bozgo
(NK Dubrava)