qen4Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri publikoi në Facebook një propozim të tij të ri ligjor që ndëshkon me gjoba dhunën ndaj kafshëve ose ndërsimin e kafshëve kundër njëra-tjetrës për baste. Por ka një problem... një ligj i tillë sakaq ekziston.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë

"Pas qindra komunikimeve me shumë qytetarë lidhur me keqtrajtimin sistematik të kafshëve, pas sqarimeve të vazhdueshme mes pafuqisë ligjore për të vepruar dhe indiferencës së shumë institucioneve, pas qindra foto e video ku dhuna e luftimet ndërmjet kafshëve kthehen në sipërmarrje gangsterllëku a peërfitimi, është e domosdoshme ndërmarrja e një nisme ligjore që i jep fund vakumit normativ dhe torturave çnjerëzore që disa të papergjegjshëm i shkaktojnë kafshëve," deklaroi Tahiri në faqen e tij në Facebook.

Sipas propozimit të Tahirit, keqtrajtimet e ndryshme të kafshëve do të duhet të dënohen me gjoba nga 10 mijë në 100 mijë lekë ndërsa plagosja e një kafshe për arsye të paligjshme, duhet të dënihet me burgim nga 3 deri në 6 muaj. (kliko këtu për të lexuar statusin e Tahirit).

Problemi është se, ndryshe nga sa pretendon ministri i brendshëm për "vakuum ligjor", ligji që dënon keqtrajtimin e kafshëve është sakaq në fuqi që prej pesë vjetësh. Ligji nr Nr.10 465, datë 29.9.2011 "Për Shërbimin Veterinar" përcakton qartë ndalimin e keqtrajtimit të kafshëve si dhe masat ligjore ndëshkuese për rastet e keqtrajtimit. Në nenin 76, ligji në fjalë shkruan: " Për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve ndalohet kryerja e veprimeve të mëposhtme:

  1. a) shkaktimi i torturës, dhunës fizike dhe verbale, sjelljes çnjerëzore, frikës, dëmtimit, dhimbjes, vuajtjes, shqetësimit ose ankthit, me përjashtim të rasteve të lejuara sipas këtij kreu;
  2. b) ndërsimi i kafshëve kundër njëra-tjetrës ose përdorimi i kafshëve për luftime a shfaqje që shkaktojnë dhimbje, dëmtime, plagosje ose ngordhje të kafshëve...

Neni 76 vijon me një sërë ndalimesh të tjera ndërsa neni 134 me titull "kundërvajtjet administrative" parashikon gjoba për rastet e shkeljes së këtij ligji, ku për shkeljet e nenit 76 parashikohet gjobë deri në masën 100 mijë lekë të rinj.

Shumë qytetarë si dhe disa organizata për mbrojtjen e kafshëve kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin për keqtrajtimin e kafshëve gjatë organizimit të garave të ndryshme për baste, të tilla si ndeshjet me qen apo ndeshjet e gjelave. Ndeshjet e gjelave zhvillohen çdo vit pranë vitit të ri, veçanërisht në zonën e Kavajës, ku është festë tradicionale. Por të gjitha këto gara janë sakaq të paligjshme, megjithëse, Ministri i Brendshëm beson se ai po propozon ndalimin e tyre për herë të parë.