TIRANE - Një pjesë e madhe e shikuesve të “Fiks Fare” u mërzitën kur mësuan se Sajmir Kodra, i cili njihej ndryshe si ‘Sajmiri i Fiksit’, u largua. Prej më shumë se 10 vitesh, ai bashkë me doktorin ishin dyshja e suksesshme e programit investigativ të “Top Channel”, dhe me humor përcollën skandalet e bujshme që shpesh tronditën opinionin publik shqiptar. Moderatori tashmë i është bashkuar stafit të “Agon Channel”, një televizion i ri por në dukje shumë premtues. Megjithëse shumë i vendosur për të respektuar deri në fund kontratën me “Top Channel”, Sajmiri zbuloi për “Bluetooth” disa detaje mjaft interesante të projektit të tij të ardhshëm. Ne i urojmë suksese!
Sajmir, cilat janë planet e tua tek “Agon Channel”? Kur dhe si do të të shohim?
Në fakt, më duhet t’ju them se ende nuk është momenti që unë të jap intervistë, pasi është në proces mbyllja e kontratës me “Top Channel” dhe dua ta respektoj deri në fund. Nuk mund të them me saktësi se cilat janë planet e mia për në “Agon Channel”, por për tani mund t’ju zbuloj se do jem... Nuk e them (qesh).
Asnjë detaj të vogël s’do të na japësh?
Ideja është që mund të sjellim një variant të programit të suksesshëm në Itali “Le Iene”.
Është e vërtetë që ke firmosur një kontratë për një rrogë katër herë më të lartë se ajo që merrje në “Top Channel”?
Këto janë detaje që sinqerisht nuk më pëlqen t’i diskutoj. Nuk do të doja të bëja komente shifrash. Mund të them që ishte një ofertë pak më e mirë, ndaj ika.
Të erdhi keq që e ‘braktise’ “Fiks Fare” pas kaq shumë vitesh?
Sigurisht që më dhëmb largimi nga “Fiksi”, një program që e ngrita e për të cilin punuam të gjithë shumë. Por jeta të përball me sfida të reja.
Cila është arsyeja e vërtetë e largimit tënd?
Isha shumë mirë atje, por më duhej të provoja diçka të re. Kishte ardhur momenti të provoja gjëra të reja, ndoshta për të parë edhe deri ku arrijnë limitet e mia.
Duke pasur parasysh “Le Iene” në Itali, ku prezantojnë një mashkull dhe një femër, a mund të na thuash cila do të jetë partnerja jote?
S’është e thënë të jetë medoemos partnere. Shoqëria shqiptare është pak maskiliste. Mund të jetë edhe partner (mashkull). Megjithatë këto detaje janë ende në fazë diskutimi, pasi duhet kohë për të vendosur.

“Le Iene”
Shpesh i cilësuar si programi televiziv më i suksesshëm në Itali, “Le Iene Show” prej vitesh ka kapur rekorde të audiencës. Një program investigativ, “Le Iene” u vjen në ndihmë qytetarëve duke publikuar problematika të ndryshme, shpesh skandale tronditëse, që xhirohen fshehurazi ose jo nga gazetarët. ‘Hienat’ gazetarë, të veshur me kostum e kravatë, rendin në zbulimin e skandaleve, shpesh duke rrezikuar. Këto lajme prezantohen në një show të vërtetë, duke u përcjellë me humor nga bukuroshja Ilary Blasy dhe moderatori i suksesshëm Teo Mammucari, në kanalin italian “Italia 1”. 

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)