Nga Mero Baze


Është hera e parë që Sali Berisha pranon publikisht se është njeriu më i padenjë për President të Republikës. Në një intervistë në një televizion të tij dje në mbrëmje, pranoi se kërkesa e shumë miqve të tij që ai të ribëhej president, nuk do të realizohej. Arsyeja është se këtë gjë më shumë se miqtë e tij- e duan armiqtë e tij. Miqtë e mi nuk e kanë të qartë se kundërshtarët e tyre mezi po presin Berishën President, por nuk do ta shohin….


Deklarata është e qartë. Makthi i rizgjedhjes jashtë vullnetit kombëtar dhe ndërkombëtar në vitin 1997, kur iu desh ta dorëzonte një javë më pas pushtetin që mori mes plumbave, duket se funksionon ende. Por kjo nuk është shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe as për komunitetin ndërkombëtar. Të gjithë ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri po shprehen radhazi se për emrin e presidentit duhet të respektohet një traditë konsensusi, çka nënkupton se nuk duhet të jetë as Berishë dhe as ndonjë berishë tjetër. Dhe këtu pas kësaj deklarate të Berishës, problemi bëhet dhe më i ndjeshëm. Berisha, i cili e ndjen ende se emri i tij mund ti rivërë zjarrin Shqipërisë si një president i padenjë, pretendon të bëjë diçka më të keqe se kaq, ta gjejë ai emrin që do të bëhet president. Pra, në vend të origjinalit që ne kemi para sysh, me gjithë veset dhe virtytet politike që ka, ai pretendon të na diktojë një kopje të tij që ti kemi të dy para syve, njërin në kryeministri dhe tjetrin në presidencë. Kjo është më fyese se sa Berisha të bëhej vetë president.


Por mbi të gjitha pranimi prej tij se rizgjedhja president do të ndihmonte kundërshtarët e vet, është një fyerje për standardet e politikës në Shqipëri. Ky njeri guxon të na thotë se është i padenjë për president dhe mund të destabilizojë vendin po të zgjidhet, por është i denjë si zgjedhës dhe diktues i presidentit, pasi ashtu e ka vendin më shumë nën kontroll. Alogjizmi i tij shtrihej në gjithë deklaratat e tij, dhe kur fliste për presidentin aktual, dhe kur fliste për kundërshtarin politik, dhe kur fliste për qeverinë e tij. Por kryealogjizmi i tij mbetet fakti që është i vetëdijshëm sa rrezik përbën për vendin nëse bëhet president, por kërkon të na diktojë presidentin, duke bërë dhe interpretime sipas dëshirës si për Kushtetutën, ashtu dhe për marrëveshjet politike në Shqipëri.


Shqetësimi i tij dhe fokusimi tek një president që do ta zgjedhë vetë ai, po rritet dita- ditës në kah të kundërt me shqetësimin ndërkombëtar për zgjedhjen e një presidenti me frymën e konsensusit që ti shpëtojë spirales së kapjes së gjithë hallkave të shtetit nga Sali Berisha. Duke e ndjerë këtë frymë kundër tij nga komuniteti ndërkombëtar, ai duket se po nis një fushatë publike për të ngulitur faktin që ky është viti i tij, dhe ai do të marrë presidentin, prokurorin, SHISH dhe gjithçka tjetër që nuk ka mundur deri më sot. Ai ruan ende frikën dhe makthin nga hyrja me zor për herë të tretë në zyrën e Presidentit, por ruan po ashtu dhe ëndrrën që tashmë të ketë një president nga zyra e kryeministrit, duke komanduar prej andej presidentin, prokurorinë, gjyqësorin, SHISH, zgjedhjet, ekonominë dhe liritë tona politike dhe njerëzore. Ai është i vetëdijshëm se është rrezik të shpallet president, por nuk do të heqë dorë nga fakti se presidenti do të jetë i tij.


I terrorizuar nga fakti që Sali Berisha president do të ngrinte në këmbë Shqipërinë dhe botën, ai duket se do të hakmerret si një plak i rrëgjuar në ditët e fundit të pushtetit të tij ndaj këtij fakti. Ai nuk e duron dot që askush nuk e pranon më president, nuk e duron dot që ka një kufi për të që ka të bëjë me godinën e presidencës. Dhe kërkon të hakmerret ndaj kësaj mungese të madhe të tij që e adhuron aq shumë, duke na bërë karshillëk të gjithëve se ai do ta caktojë presidentin, çka nënkupton se do të jetë më zi se të jetë vetë Sali Berisha.


Në të vërtetë e ka gabim. Nëse bëhet vetë president, është e vërtetë që do ta bëjë më të lehtë luftën politike të opozitës dhe do rrisë alergjinë ndaj tij në Perëndim, por disa gjëma që ka bërë familja e tij mund ti zbusë dhe ti shpëtojë duke mbajtur nën kontroll drejtësinë. Nuk është se do të shpëtojë përgjithmonë, por mund ta bëjë më të lehtë ikjen, duke lëshuar një herë ekzekutivin. Përpjekja e tij për ti mbajtur gjithë kockat në një gojë, mund ta bëjë ti humbasë të gjitha. Kur Perëndimi thotë se presidenti duhet me konsensus, nuk ka parasysh që opozita ti japë konsensus Berishës për një Berishë tjetër, çfarë ai po ëndërron. Aq shumë e do këtë Berishën tjetër Sali Berisha, sa është gati të pranojë se Sali Berisha origjinal urrehet dhe përçmohet në këtë vend si president, ndaj dhe nuk do të bëhet. E thotë këtë me shpresë se do të na prekë duke i pranuar atë tjetrin, kopjen e shëmtuar të tij. Është hakmarrja e tij ndaj izolimit që bota dhe shqiptarët kërkojnë ti bëjnë, tani kur ai ka prekur fundin e karrierës së tij. Që si gjithmonë mbyllet duke tentuar ti marrë të gjitha.