Edhe pse impianti është pa leje mjedisore, kjo nuk e pengon aspak kompaninë që po ndërton aksin Skrapar-Përmet që të përdorë çdo ditë gurët e lumit Osum për shtrimin e trasesë së rrugës.



Leja mjedisore i është refuzuar dy herë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit kompanisë Salillari për të shfrytëzuar shtratin e lumit Osum pranë kanioneve.


Ngritja e pikës së inerteve është kërkuar për tu ngritur me qëllim shfrytëzimin e gurëve për ndërtimin e rrugës Skrapar-Përmet. Drejtuesit e Agjencisë së Mjedisit në Berat konfirmuan se kompania nuk ka leje, megjithatë edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ky denoncim i bërë nga Top Channel puna vazhdon në pikën e inerteve.


Impianti gjendet ne thellësi të maleve të Skraparit, aty ku bashkohen përrenjtë e parë që furnizojnë Osumin që më pas hyn në kanione.


Impakti në mjedis mund të ketë pasoja për këtë lum, përgjatë të cilit shtrihet një prej bukurive të rralla të natyrës shqiptare, kanionet e famshëm të Osumit që tërheqin shumë turistë vendas dhe të huaj. Dhe pikërisht është leja mjedisore ajo që vlerëson efektet që vijnë nga shfrytëzimi i gurëve të lumit.


Impianti po e ushtron aktivitetin larg syve të publikut duke përdorur një leje nga këshilli i basenit Seman që mbulon edhe Beratin për shfrytëzim inertesh lumore. Sipas ligjit një veprimtari e tillë kërkon leje të posaçme mjedisore, por deri tani autoritetet shtetërore nuk janë vënë në lëvizje për të penguar këtë aktivitet.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)