Lajmi i fundit që vjen nga qeveria e Romës është se Samiti i Triestes pritet të nisë me një takim trepalësh mes kancelares gjermane Merkel- Presidentit francez Macron e kryeministrit italian Gentiloni.


Tema kryesore e këtij takimi e kërkuar fortësisht nga Italia është kriza e emigrantëve në brigjet italiane.


13 krerë shtetesh e qeverish së bashku me Ministrat përkatës të punëve të Jashtme, të Ekonomisë, të Transportit, si dhe Komisionerja e Lartë e Çështjeve të Jashtme e të Sigurisë për Bashkimin Europian Federica Mogherini, së bashku me Komisionerin për zgjerimin e BE Johannes Hahn, Komisioneren për Transportin Violeta Vulc, si dhe me drejtuesit më të lartë të Organizatave botërore e Bankave të Zhvillimit priten të marrin pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet nesër më datë 12 korrik në qytetin e Triestes.


Objektivi i këtij Samiti është integrimi i vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian i nisur që me Procesin e Berlinit më vitin 2014, me Samitin e Vienës më 2015 e me takimin e Parisit më 2016.


Delegacionet qeveritare të vendeve të Ballkanit Perëndimor të Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje- Hercegovina, Serbisë, Malit të Zi si dhe të vendeve anëtare të BE do të mblidhen në Samitin e Triestes në 3 seksione paralele; seksioni i Krerëve të Shteteve e përfaqësuesve të ekzekutivit të çdo vendi pjesëmarrës; seksioni i takimit të Ministrave të Jashtëm dhe seksioni ekonomik me pjesëmarrjen e Ministrave të Financave e të Ekonomisë së vendeve të Ballkanit Lindor.


Axhenda e këtij Samiti parashikon marrjen në diskutim të situatës së përgjithshme në vendet si Maqedoni, Kosovë e në Bosnjë-Hercegovinë, raportin mes vendeve anëtare të BE e atyre që aspirojnë të marrin statusin e vendit kandidat, prespektivat e integrimit europian për mjaft prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kriza e emigrantëve e problematika e rrugës ballkanike, çështja e sigurisë, zhvillimi ekonomik në këto vende e roli i sipërmarrjeve të vogla e të mesme në zhvillimin ekonomik të tyre.


Informacionet e fundit që vijnë nga Kryeministria italiane konfirmojnë se Samiti pritet të nisë me takimin 3 palësh Merkel-Macron-Gentiloni ku çështja më e nxehtë që do të merret në diskutim është ajo e emigracionit.


Qyteti i blinduar nga masat e larta të sigurisë


Në prag të këtij Samiti qytetit i Triestes prej ditës së sotme është i blinduar nga një plan special sigurie.


“Do të jenë dy ditë intensive e impenjative për Triesten, por jam e sigurt se qyteti do të dalë si protagonist fitues” kështu ka deklaruar para gazetarëve Prefektja e qytetit të Triestes Annapaola Porzio e cila së bashku me kryetarin e Bashkisë Roberto Dipiazza kanë ilustruar para mediave programin e zhvillimit të këtij Samiti si dhe planin e masave të larta të sigurisë.


Mbi 1000 forca të rendit e të ushtrisë do të mbikqyrin më datat 11-12 korrikut qytetin e Triestes.


Zona përreth territorit ku pritet të zhvillohet Samiti do të jetë e mbyllur për trafikun si dhe territori përreth hoteleve kryesore ku mikpriten delegacionet e vendeve pjesëmarrës do të rrethohet nga disa kordonë policie.


Do të limitohet gjithashtu dhe lundrimi i mjeteve detare e 3 molet kryesore të qytetit do të qëndrojnë të mbyllura.


/Oranews.tv/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter