Nga Express më 22 mars 2011 në ora 09:50

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka lavdëruar sulmuesin e Udineses, Alexis Sanchez, duke zgjuar spekulime rreth transferimit të tij gjatë afatit kalimtar të verës.



Reprezentuesi kilian është shfaqur si njëri prej futbollistëve më të mirë në Serie A këtë sezon dhe ka zgjuar interesim nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane si Inter, Chelsea dhe Manchester United.



Nerazzurrët ishin të interesuar për shërbimet e tij edhe gjatë janarit, por Udinese refuzoi të diskutojë rreth shitjes së Sanchezit. Megjithatë, ai mbetet i pëlqyer nga Moratti.



“Sanchez është futbollist i shkëlqyeshëm dhe ka qenë i tillë për disa vite. Udinese po ashtu ka qenë e mirë që ka arritur të nxjerrë maksimumin e kualiteteve të tij. Tani ai do të jetë shumë i rëndësishëm edhe nga këndvështrimi ekonomik. Ai është futbollist i cili ju bën të ëndërroni”, tha Moratti për mediet italiane.



Ndërsa Sanchez ka theksuar se mund të mbetet në Serie A edhe gjatë sezonit të ardhshëm. “Objektivi im është të fitoj një titull në Itali”, tha Sanchez pas fitores ndaj Catanias me rezultat 2-0 të dielën, që e mban Udinesen në pozitën e katërt në tabelë.