Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin "Nderi i Kombit"





Më 25 mars 1985 Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur" në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.





Kur do të ishte ky momenti i duhur?





Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh, se një nga tentativat e tij e çoi në fund. E kanë thënë kolegë të afërt që nuk kanë pranuar megjithatë ta pohojnë këtë gjë në publik.





Në të kaluarën vetëvrasjet nuk duheshin zënë goje, sikur të ishin shprehje e një individualiteti të pavarur, e një lirie personale, e vetvetiu të rrezikshme. Në përgjithësi nuk ka pasur koment dhe shpjegime për to, thjesht nuk ziheshin goje. Sot vetëvrasjet përbëjnë lajm, hollësirat si dhe pse janë të zakonshme për shtypin që ia fut kot, ngaqë i trajtojnë të vetëvrarët si krijesa që s'kanë më të drejta, që janë askush.





Rasti Sandër Prosi do të rrëfehet një ditë kur kultura jonë të ketë jetëshkrues profesionistë, biografë që të tregojnë pa simuluar cili ishte artisti dhe njeriu Sandër Prosi të cilin Presidenti i Republikës Bamir Topi e dekoroi dje me Urdhrin "Nderi i Kombit" (pas vdekjes).





Motivacioni ishte ky: "Si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar."





Ceremonia u organizua dje në Presidencë, një ditë para 25-vjetorit të vdekjes së artistit. Ishin të pranishëm familjarët, dy djemtë e aktorit dhe kolegë të tij me të cilët ai ndau një karrierë afro 40-vjeçare në skenë dhe ekran.





Presidenti Topi i dorëzoi Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi, Aristidh Prosit, djalit të madh të aktorit, solist i Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Ndërsa komentonte arsyet pse Sandër Prosit i jepej ky Urdhër, Presidenti ka bërë një retrospektivë të fillimeve të teatrit dhe kinemagrafisë shqiptare dhe ka vlerësuar kontributin plejadës së aktorëve dhe regjisorëve të vitet 40-50 të shekullit të XX-të "ku shkëlqeu me talentin e tij edhe Sandër Prosi.





Të parët, themeluesit, kanë një karakteristikë që i bën ata pjesë të asaj historie që shndërrohet në pikë referimit për brezat, ata kishin talentin e madh, talent si ai i Sandër Prosit." Kontributin e Sandër Prosit, Presidenti Topi e lidhte dje me një nxitje të madhe "për mendimin tonë, për raportin tonë me të bukurën, me artin, me vetë lirinë.





Në adoloshencën time apo vitet e shkollës, pak portrete fizike më kanë tërhequr vëmendjen, aq sa ai i Sandër Prosit. Ai ishte i saktë, i vërtetë, i mençur, shqiptar deri në palcë, në jetë dhe në art. A nuk është i tillë Otelloja, që ai interpretoi me aq mjeshtëri ku duket qartë nderimi për besën dhe përçmimi për pabesinë? Lartësia e interpretimit bashkohej me vlerat e personazhit dhe padyshim me vlerat morale të aktorit."





Në fjalën e tij Presidenti ka komentuar disa role të aktorit, si Dhaskal Todri tek "Udha e shkronjave", Gjeneralin tek "Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur", Ismail Qemalin tek "Nëntori i dytë", duke i parë këto figura si imazhe që kanë mbetur të historisë që mund të mësohet të mësohet edhe nëpërmjet artit, e kinematografisë.





Në mbyllje, përshëndeti Aristidh Prosi i cili falënderoi "për fjalët prekëse, të thella të thëna në adresë të babait tonë! Ju falënderoj shumë edhe për dekorimin që ju e bëtë sot në 25-vjetorin e vdekjes së tij! Dua të falënderoj kolegët bashkëpunëtorë të krijimtarisë artistike.





Së fundi do të falënderoja me shumë respekt dhe do të shprehja një mirënjohje të thellë për dy persona që unë mendoj se kanë një vend shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në jetën e tij qoftë private, qoftë artistike. Kam parasysh bashkëshorten e tij, zonjën Filomena dhe mikun artist të tij, operatorin, regjisorin e famshëm Viktor Gjika."





Aktori Sandër Prosi u lind më 16 janar 1920 në Tiranë. Gjatë kohës së shkollës së mesme, në Gjimnazin e Tiranës, përgatit dhe vë në skenë dramën e Shilerit, "Vilhelm Teli", shfaqje që u pengua të shfaqej nga regjimi fashist i kohës.





Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë "Prefekti" të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.





Në teatër ka interpretuar tek "Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaja Vanja" etj.

Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat "Debatik", "Detyrë e posaçme" (1963), Vitet e para (1965), "Horizontet e hapura" (1968), "Guximtarët" (1970), "Gjurma" (1970), "I teti në Bronz" (1970), "Mëngjese lufte" (1971), "Yjet e netëve të gjata" (1972), "Shtigje lufte" (1973), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1975), "Në fillim të verës" (1976), "Përballimi" (1976), "Fijet që priten" (1977), "Njeriu me top" (1977), "Gjeneral Gramafoni" (1978), "Udha e shkronjave" (1979), "Yje mbi Drin" (1979), "Vajzat me kordele të kuqe" (1980), "Plumba perandorit" (1980), "Plaku dhe hasmi" (1981), "Qortimet e vjeshtës" (1981), "Nëntori i dytë" (1982), "Dora e ngrohtë" (1983), "Kush vdes në këmbë" (1984) dhe "Pranverë e hidhur" filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.