Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.



Sandri dhe “grupi” i tij formojnë “Skënderbeun” evropianNga Antena brenda familjesNgjarja më e madhe e javës së fundit është formimi i ekipit “Skënderbeu” evropian. Bëhet fjalë për Skënderbeun e Korçës. Gimja i Redbullit, Samiri, Fevziu, Sandri, Irfani dhe Jorgji, janë drejtuesit e rinj të Klubit “Skënderbeu”. Sandri organizoi gjithë aksionin. Objektivat janë të shumëanshme.
E para, gjithë “grupi” ka marrë si mision të fusë Skënderbeun në Kupat e Evropës. Por zgjedhja e Korçës ka simbolikë të veçantë. Aty janë dy deputetë, edhe Ritvani, edhe Blushi. Dhe Sandri, pasi e diskutoi gjatë se si t’i ndihmojë këto dy figura, e gjeti zgjidhjen. “Të bëjmë bashkë një grup, që të kemi mundësi që lekët që duhet t’i japim shtetit si biznesmenë, tua japim këtyre të dyve. Si shpërblim Ritvani duhet të mbajë gjithmonë Drejtor Tatimesh, Jovanin, kunatin e Gimes, kurse Blushi duhet të mbajë fjalën e të hyjë në parlament”.
Më e vështirë ishte si t’ia jepnin lajmin Fevziut. Sandri filloi ta pyesë me takt.
- Fevzo, kur ke qenë për herë të fundit në Korçë?
- S’e mbaj mend, tha Fevziu, më ftoi një herë në Selanik Karamanlisi, dhe shkova me makinë këtej, po kishte shumë pluhur rruga dhe ishte skandal.
- Po të pëlqen si qytet, të pëlqen?
- Le mo burrë se është shkatërru fare, nuk shkohet aty.
- Ore, ti më ke thënë që ke pasë një gjysh me francezët në Korçë më 18-tën?
- Kam pasë në fakt një gjysh me ata, po s’e di mirë si ka përfunduar.
- Isha me Samirin dhe Gimen dhe takuam atë kryetarin e Bashkisë dhe na tha që gjyshi i Fevziut ka ngritur ekipin e parë të futbollit në Korçë më 1918. Gimja fluturoi nga gëzimi dhe tha “ta marrim ne Skënderbeun o burazer, fusim dhe Fevziun në kryesi”…
- Qenka interesante, tha Fevziu. Në fakt kjo duhet të jetë e vërtetë se ky gjysh duhet të ketë qenë nga Kolonja dhe ka jetu në Korçë. S’ka lidhje me atë gjyshin që është nga Pogradeci dhe ka jetu në Tiranë. Bile ky s’ka lidhje as me atë gjyshin që është nga Tirana dhe ka jetu në Manastir. Ky ka mundësi të ketë lidhje me atë gjyshin që është nga Kruja dhe ka shku në Francë dhe ka ngritë flamurin në Bastijë.
- Nuk e di vëlla se ti ke 8 gjyshë, po kështu na tha kryetari i Bashkisë.
- Po mirë mo, bëjeni klubin, ma fusni dhe mua emrin. Vetëm në Korçë nuk vij dot. Kur të vijë Skënderbeu në Tiranë, na jepni ndonjë pije tek Sheratoni.
- E mire, ja po thërras dhe Irfanin, se Gimja tha të bëhemi bashkë të gjithë.
- Po Irfanin ç’e doni?
- Po ja, ka birrën Korça ai, të paguajë dhe ai ndonjë lek.
- Mirë, po këtë të lekëve thuajeni të fundit, tha Fevziu, se dhe honoraret mezi m’i jep.
Sandri mori në telefon Irfanin.
- Figurë, ku je? Eja tani se do mblidhemi të formojmë Klubin “Skënderbeu Evropian”.
- Po ç’na fut kot në këto klube, i tha Irfani, se na duhen lekët për punë të mëdha.
- Dëgjo figure, kam folë me doktorin dhe tha ky vit do të jetë Viti i Nënë Terezës dhe duhet të lartësojmë gjithë figurat tona me orientim evropian. Nga gratë është Nënë Tereza, kurse nga burrat Skënderbeu. Grupi jonë u caktua të ringjallë Skënderbeun evropian. Objektivi duhet të jetë që kur të pranohet kërkesa jonë për anëtarësim në BE, Skënderbeu të ketë hyrë në Kupat e Evropës.
- Mos mo burrë, pse 15 vjet ne do ta financojmë atë, tha Irfani, se pa 15 vjet ne nuk hyjmë gjallë në Evropë.
- Shiko Fane, tani duhet ta bëjmë këtë. Fola dhe me Gimen dhe tha i thuaj Ritvanit flas unë me kunatin, nuk ka për të pasë asnjë taksë, asnjë gjobë nga tatimet. Bile dhe kasat të vijë t’i marrë falas tek unë. Puna është që duhet t’i bëhemi pak krah doktorit e kupton vetë ti. Do jetë dhe Fevziu se e nxorëm që një gjysh i tij ka formuar ekipin e Korçës më ‘18 me francezët. Pastaj dhe ajo puna e doktorit, e di vetë ti…
- Si është puna e doktorit?
- Po ja pra, që u shpall Skënderbeu i dytë, se shkoi takoi Papën më 12 dhjetor.
- Po ti këtë thuaj mo burrë, t’ia vëmë dhe ne Skënderbeu i dytë se ky Skënderbeu Evropian shumë i gjatë është.
- Nejse, unë po ta shënoj emrin, dhe shumën që do paguajmë në muaj. Pastaj fola dhe me atë të Bashkisë, mund të marrim atë stadiumin se kishte vend të mirë për ca pallate rrotull. Pastaj vari k…, ç’na duhet më ekipi. Hajt ta nisim një herë.