Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.





Sandri në garë në ballo bamirësie Nga Antena brenda familjes

Javën që shkoi Sandrit i mbeti mendja te balloja e bamirësisë. Iu bë fiksim që Irfani, pronari i “Panoramës” dhe pronari i Ora News blejnë piktura më të shtrenjta se Sandri. Historia nisi me një ftesë të fondacionit të fëmijëve që drejtohet nga Liri Berisha. Nga pronarët e medieve ishin ftuar Sandri, Irfani dhe Ylli. Nga biznesmenët, Samiri, Gimja, Rezarti etj.


Zonja Berisha dhe burri i saj qëndronin ulur, ndërsa do të fillonte ankandi i pikturave dhe skulpturave që do t’u rritej çmimi për të ndihmuar fondacionin e zonjës Berisha. Sandri donte të binte në sy i pari. Sapo u ekspozua një pikturë e zakonshme, nga ato që shkojnë rreth 500 euro, Sandri u ngrit i pari.


- Këtë e duan unë, - tha, - 5 mijë euro.


Organizatorët u qeshën në fytyrë. Çmim shumë i mirë. Fitimi shkonte gati dhjetëfish.


U vendos pak heshtje dhe Irfani ngriti dorën.


- E marr unë dhjetë mijë, - tha.


Pasoi një shenjë e fortë habie nga pjesëmarrësit. Organizatorët dukeshin dhe më të kënaqur. Shkoi në 20 fish fitimi. Sapo Irfani po bëhej gati të ngrihej si triumfator, u ngrit Ylli.


- E marr unë 15, - tha.


Këtu u shuan gjithë zërat.


Sandri u skuq i gjithi nga inati. Nuk e kuptonte dot që Ora News t’ia kalonte dhe në ankand. Ishte shumë i xhindosur me të, sepse, sa herë shkonte te doktori në zyrë, e gjente duke parë Ora News. Një ditë i tha: “Ç’e shikon këtë televizion koti?” Por ai ia preu: “Sandër, këtu i marr vesh lajmet, se te ty i di, se i bëj vetë”. Kjo i prishi terezinë fare.


Vendosi të blinte me çdo çmim të dytën. U ngrit nga vendi, shkoi takoi Irfanin.


- Të lutem, mos ma prish pazarin, - tha, - se do ta blej vetë të dytën.


E dyta ishte një po ashtu një pikturë e zakonshme. Sapo filloi ankandi u ngrit Gimja i Red Bullit dhe tha: “8 mijë”. Sandri e pa gjithë inat, ta hante të gjallë.


Pa mbaruar zhurma e duartrokitjeve, u ngrit Sandri.


- Dhjetë mijë, - tha, - dhe s’e luan topi. Ma sill këtu.


U vendos qetësia. Asnjë nuk guxoi të shtonte çmimin.


Organizatorët shndrisnin në fytyrë, pasi çmimi ishte direkt 20 fish. Sandri u çua, e mori dhe po e nxirrte në korridor t’ia jepte shoferit.


- Bravo! - i tha një nga punonjësit e aktivitetit.


- Jo mo, unë u q… robt, i marr të gjitha, po desha me u hap rrugë këtyre legenëve, - tha.


Sapo u kthye Sandri, kishte dalë në ankand një skulpturë. Ishte e një skulptori mesatar dhe emri i pikturës quhej “Bora”. Irfani, sa pa Sandrin, lëvizi nga vendi.


- Shiko, do bëjmë një lojë, - tha. - Ti do japësh një çmim i pari, po jo shumë të lartë dhe unë do ta blej. Se ka emrin e vajzës së Ilir Metës. S’mund ta lë ta blejnë të tjerët.


Ashtu ranë dakord.


Sa filloi ankandi, u ngrit Sandri.


- Pesë mijë dollarë për Borën, - tha.


U vendos heshtje, se dukej qartë që do kishte oferta të tjera. Irfani po bëhej gati të ngrihej gjithë pompozitet të thoshte dhjetë mijë. Kur fare papritur ngrihet Ylli dhe thotë: “30 mijë euro”.


Plasi ilaritet në sallë. Organizatorët shndrisnin nga lumturia. Kryeministri dhe zonja e tij kthyen kokën gjithë respekt. Irfani nuk e duroi dot këtë skenë.


- Prisni, - tha. - 45 mijë euro për Borën.


Pas kësaj pllakosi heshtja. Askush s’kishte më fuqi të paguante më shumë.


Irfani u ngrit, mori Borën dhe ia dha shoferit.


Ankandi vazhdoi. Irfani dhe Sandri u panë në sy që s’do të blinin më.


- Na mori më qafë ky shkërdhata, - i tha për Yllin, - se unë e ti u morëm vesh.


- S’ke ç’i bën, - tha Irfani. - Do ta bëj kaq për Ilirin unë.


Ndërkohë ankandi po vazhdonte dhe po shitej një natyrë e qetë. Sandri dëgjoi se si po grindej Gimja me Samirin kush ta blinte. Në cep të ankandit rrinte i vetmuar, i rrethuar nga tri roje, Rezart Taçi. Kishte zënë një kënd që, nëse filmohej, dilte pas doktorit dhe zonjës Berisha. S’e kishte mendjen fare tek ankandi.


Sandri u afrua ngadalë.


- Ore ti k… do blesh ndonjë gjë apo të të vijnë tatimet nesër?


- Dua të blej Sandër, po janë shumë të lira. Unë s’kam asnjë pikturë nën 50 mijë euro në shtëpi. Po pres sa të mbarojnë këto dhe t’i blej të gjitha çfarë mbeten. Shpresoj të më pranojnë një 200 mijëshe. Dhe nuk i dua pikturat. Le t’i marrë zonja Liri, t’i


shesë prapë. Unë thjesht dua t’i paguaj lekët.


- Po ti qenke k...! Po do të paguash vetëm lekët, pse vjen këtu, shko te studioja. Kjo është për të dalë në televizor. Po shiko se mos i gënjen, se këta nuk janë si puna ime që më rren sa herë të teket për lekë. Po nuk i dhe, ke tatimet nesër.


Dhe me sa duket Taçi e rrejti prapë Sandrin, po Sandri nuk e rrejti Taçin.