Koreja e Veriut ka sulmuar Shtetet e Bashkuara për vazhdimin e zbatimit të sanksioneve. Pheniani ka thënë se nuk mund të ketë përparim sa i përket denuklearizimit, nëse SHBA-ja vazhdon të veprojë sipas “skenarit të vjetër”.


Koreano-veriorët, kanë akuzuar negociatorët amerikanë se janë duke marrë masa kundër qëllimeve të presidentit amerikan, Donald Trump dhe shpirtit të samitit të mbajtur në Singapor.


Trump dhe lideri Kim Jong-un janë pajtuar në muajin qershor se do të punojnë drejt denuklearizimit.


Mirëpo detajet deri më tani mbeten të paqarta, pasi Koreja e Veriut nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga programi bërthamor, derisa Kombet e Bashkuara kanë thënë se programi bërthamor është duke vazhduar.


“Për aq kohë sa SHBA-ja kundërshton qasjet e mira për partnerin e saj të dialogut dhe vazhdon të veprojë sipas skenarit të vjetër, me të cilin kanë dështuar të gjitha administratat e kaluara, nuk mund të pritet ndonjë përparim apo zbatim të deklaratës së përbashkët duke përfshirë denuklearizimin”, ka thënë ministria e Jashtme koreano-veriore.


Këto paralajmërime kanë ardhur vetëm disa ditë pasi ministri i Jashtëm koreano-verior i ka cilësuar veprimet e SHBA-së, alarmuese.


10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)