Eshtë ankoruar mëngjesin e së mërkurës për herë të parë në Kalatën e Trageteve në Portin e Sarandës, trageti i parë.
Trageti “Korinthian” me 85 pasagjerë në bord erdhi në Sarandë nga Korfuzi për një vizitë njëditore në këtë qytet.
Kalata e trageteve, që ka vetëm pak ditë që është përuruar, do të shërbejë vetëm për ankorimin e trageteve dhe krocerave me kapacitet të madh si dhe të jahteve.
Kalata e trageteve në Sarandë, është me parametra bashkëkohorë, ka një gjatësi 180 metra dhe zhytje deri 9 metra thellësi. Porti i Limionit, do të shërbejë tashmë për aktivitet tregtar, ngarkim-shkarkimin e mallrave, imbarkimin dhe disbarkimin e pasagjerëve.
Ky është i vetmi port në jug të Shqipërisë dhe u shërben rretheve të jugut: Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë dhe ka një sipërfaqe prej 180 mijë metrash katrorë.